Ekonomi Ndërtimi i portit të Porto Romanos, Balluku: Nuk do i shërbejë vetëm...

Ndërtimi i portit të Porto Romanos, Balluku: Nuk do i shërbejë vetëm Shqipërisë

Këtë të mërkurë është zhvilluar një takim me kompanitë e interesuara për ndërtimin e portit tregtar të Porto Romanos. Të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ajo u shpreh se porti i Porto Romanos nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë. Balluku përmendi marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut dhe me Kosovën për portet e thata. Ministrja u shpreh se Shqipëria mbetet e hapur për t’u shërbyer edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor përmes portit të Durrësit.

“Ashtu siç ne kemi bërë publike porti i Porto Romanos nuk do t’i shërbejë vetëm Republikës së Shqipërisë, por në momentet që sot po flasim, flasim me dy marrëveshje zyrtare të lidhura mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës për ngritjen e dy porteve të Thata, respektivisht në Strugë dhe në Prishtinë. Por sigurisht duke pasur parasysh që këto janë vetëm marrëveshjet e para dhe ne do të jemi të hapur për t’u shërbyer edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që do të shikojnë me fizibilitet të gjitha operimet e tyre përmes portit të Durrësit. Duhet të kemi parasysh që 4 vite e fundit na kanë dhënë një mësim shumë të rëndësishëm se si situata të paparashikueshme më parë siç ishte rasti i pandemisë, apo krizës së krijuar nga agresioni rus në Ukrainë mund të afektojnë të gjithë zinxhirin furnizues global”, tha Balluku.

Ministrja tregoi edhe strategjinë që po ndjek qeveria shqiptare për infrastrukturën detare dhe portuale.

“Strategjia e qeverisë shqiptare për infrastrukturën detare dhe portuale është shumë e qartë dhe përmblidhet në tre qëllime kryesore. Ato janë modernizimi i infrastrukturës në kompleksin portual të Durrësit në zonën e Porto Romanos, pra aty ku do të vendoset porti i ri, një zonë totalisht industriale, një zonë ku parashikohet jo vetëm shërbimet portuale, por edhe një zonë e lirë ekonomike e cila do të lidhet me një hekurudhë prej 4 kilometrash dhe ku parashikohet që sipërfaqja në dispozicion të jetë 60 hektarë për një zhvillim ekonomik të pakufizuar. Së dyti, zhvillimi i logjistikës dhe transportit detar si shtyllë e ekonomisë blu dhe e treta pozicionimi i Shqipërisë si një vend strategjik në ndërlidhjen ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit të Europës juglindore”, tha Balluku.