Aktualitet Ndikimi i Covid-19 në turizëm, flet specialistja e Trashëgimisë Kulturore

Ndikimi i Covid-19 në turizëm, flet specialistja e Trashëgimisë Kulturore

Ana Ceno, specialiste e Trashëgimisë Kulturore dhe Guidës Turistike rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, pasojat e Covid-19 në sektorin e ekonomisë dhe turizmit, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.

TURIZMI SEKTORI DINAMIK I EKONOMISË

Gjatë dekadave të fundit, turizmi është shndërruar në një nga sektorët me dinamikë dhe më të shpejtë në rritjen e ekonomisë botërore. Rëndësia e këtij sektori si një gjenerator i fuqishëm në krijimin e vendeve të reja të punës reflektohet dhe në raportin e fundit bërë nga ËTTC Travel and Tourism Economic Report për vitin 2019, sipas të cilës rezulton se vende të reja pune të gjeneruara nga turizmi arrijnë në 330 milion në mbarë boten, ekuivalente me 10.3 % të punësimit global. Sektori i akomodimit dhe kulinarisë krijon 144 milion punëtorë në mbarë botën. Kjo përfshin afërsisht 44 milion sipërmarrës dhe 7 milion fuqi punëtore. Duke ju referuar këtyre të dhënave, mund të imagjinojmë lehtësisht se pasoja e pandemisë, Covid-19 në sektorin e turizmit në njerëz, ekonomia e të cilëve është e lidhur drejtpërdrejtë me të, është masive.

COVID-19 GODITJE SHKATËRRUESE NË EKONOMINË GLOBALE

Përhapja e Covid-19 është duke shkaktuar një goditje shkatërruese në ekonominë globale, e si për pasoje edhe në punësim. Masat e ndërmarra nga qeveritë e vendeve për të mbajtur në kontroll përhapjen e pandemisë, demtoi rëndë industrinë e turizmit ku rikthimi në normalitet duket se është ende larg. Studime të ndryshme aludojnë se pasoja e pandemisë do të përllogaritet në humbjen e 305 milion vënde pune, shumica e të cilave janë vetëm në sektorin e turizmit. Hotele, restorante, operatorë turistikë, kompani fluturimesh, krocere, galeri, muzeume kanë anulluar aktivitete e tyre për një kohë të pacaktuar. Në fushën e akomodimit dhe kulinarisë, 51 milion biznese janë duke u hasur me vështirësi të medha, e cila po përkthehet në mos sigurimin e vëndeve të punës për punonjësit e tyre. Me marrjene gjithë këtyre masave drastike, fuqia punëtore në këtë sektor është duke u përballur me reduktim të orëve të punës si dhe në humbje të mundshme të vëndit të punës.

TURIZMI HUMBJE NË SHIFRA TË FRIKSHME

Duke ju referuar federatës italiane të turizmit, Assoturismo, Italia mund të humbasë 60 % të turistëve të saj këtë vit. Gjithashtu në një raport të parlamentit europian, llogaritet se lëvizja e turistëve në rang botëror do të ketë një rënie në masën 20-30% në krahasim me një vit më parë. Kjo në vlera monetare do të thotë një humbje rreth 300-450 bilion dollarë. Vënde të ndryshme janë duke përllogaritur humbjet që do shkaktojë këtë vit pandemia. Kështu për shëmbull: Kili: Federata e kompanive turistike kiliane (Fedetur), rrjeti i hotelerive të vëndit, shoqëria e kompanive turistike (Achet), shoqëria gastronomike (Achiga), raportojnë një humbje në turistë në vlerën 1,900,000 turistë të huaj më pak se vitin e kaluar ku numri arrinte në 4,500,000, e thënë ndryshe në 56,4% turistë të huaj më pak në vënd. Ky numër i pakët turistësh do të cojë në një humbje monetare prej 1,3 bilion dollarë. Meksika: si pasojë e përhapjes gjithmonë e më të shpejtë të Covid-19 në këtë vënd, humbjet në sektorin e turizmit përllogariten të shkojnë në 50 bilion pesos, osee thënë ndryshe në 2,4 bilion dollarë. Në rajonin e Kalifornisë, e njohur si destinacion kryesor turistik, impakti nga kriza e shkaktuar nga korona virus do të prekë 14,000 punëtorë. Spanja: referuar të dhënave të bordit turistik spanjoll, humbjet e vëndeve të punës mund të arrijnë deri në 900,000. Një prej zonave më të vizituara të vëndit siç është Katalonia, parashikon një humbje prej 10,881 milion euro. Në këto kushte të vështira, shumë vënde në mbarë botën kanë ndërmarrë politika për të mbështetur ndërmarrjet turistike, përgjysmim të taksave apo dhe kontribute të tjera shoqërore. Shumë vënde po ofrojnë ndihmesat shtesë për bizneset, në mënyrë që këto të fundit të mund të mbajnë të angazhuar ende stafet e tyre. Republika e Koresë së Jugut, e cila e konsideron turizmin si një sektor shumë të vecantë i cili mundeson sigurimin e vëndeve të reja të punës, përmes politikave të saj, ka mundësuar pagesa të punëtorëve deri në masën 90 % për një periudhë 6 mujore, model që është implementuar edhe në shumë vënde të tjera të botës. Egjipti ka pezulluar detyrimet e qerave për fushën e turizmit dhe shërbimeve ushqimore në zonat e mbrojtura dhe të kontrolluara nga shteti. Në Francë autoritet po i kushtojnë një vëmendje gjithmonë e më të madhe krijimit të një reforme për punësimit me kohë të pjesshme. Italia nje nga vendet qe pati nje goditje te madhe ne humbje jete njerezish e me pas ato ekonomike, ka ofruar nje ndihmese prej 600 euro per operatoret turistike, përgjatë muajit Mars. Qeveria Braziliane krijoi programin Anti-unemployment Programmepër të ndaluar pushimet masive nga puna e për të lehtësuar më pas rihapjen përmes ndihmave ekonomike.

ALARMI NË EKONOMI SIPAS BASHKIMIT EUROPIAN

Sipas një raporti të Bashkimit Europian, në kuadër të situatës së vështirë, shumë vende të unionit kanë hartuar një paketë të posaçme asistencë e cila do të përfshijë edhe sektorin e turizmit, krahas shumë sektorëve të tjerë të cilët u goditën rëndë gjatë kësaj periudhe. Masat përfshijnë moratoriumet e taksave, e cila konsiston në një zgjerim të afateve për pagimin e qerave apo cdo detyrimi tjetër në raport me shtetin, si dhe subvencione për pagat. Italia ka hartuar një paketë të posacme ekonomike mbështetëse për biznesin. Disa vënde kanë ri-kombëtarizuar kompanitë e goditura nga korona virus. Për pasojë, Italia ka marrë në pronësi të plotë Alitalian, kompania më e madhe e fluturimeve në vënd por edhe jashtë tij. Britania e Madhe ka pronëzuar pjesërisht sistemin e saj hekurudhor. Franca ka modifikuar kushtet e anullimeve të prenotimeve të udhëtimeve. Suedia ka ofruar mbështetje financiare për kompanitë e udhëtimeve. Shumë nga këto masa janë një formë sesi qeveri të ndryshme po ndikojnë në mbajtjen në këmbë të një ekonomie tashme të ndrydhur. Një impakt të ndjeshëm kjo situatë po shkakton edhe në Shqipëri, ku humbjet llogariten të jenë të konsiderueshme si per sektorin direkt dhe atëindirekt. Kjo edhe duke marre parasysh faktin që kontributi i turizmit në ekonominë e vendit është rreth 22% e GDP-së, e thënë ndryshe 1\5 e ekonomise së vëndit tonë varet drejtpërdrejtë nga turizmi. Alarmin për krizën e sektorit të turizmit e kanë vënë në dukje edhe agjencia “Standart &Poor”, e cila e ka pozicionuar Shqipërinë mes 15 vëndeve kryesore që do të preken më shumë nga kjo situatë, duke shkaktuar një humbje prej rreth 1.9 – 2.2% të GDP-së. Qeveria shqiptare, ashtu sikurse dhe në shumë vende të botës, ka ndihmuar sektorët ekonomikë dhe veçanërisht fushën e turizmit për të shmangur falimentin, nëpërmjet ndihmesave në formë të ardhurash apo dhe në indikativa specifike, në atë që sot po pranohet nga të gjithë, në një formë të re të të sjellurit kundrejt njëri-tjetrit.

EJA PUSHO NË SHQIPËRI

Pavarësisht kësaj situate, koha dhe ngjarje të ndryshme kanë vërtetuar se turizmi do të ringrihet dhe do të lulëzojë sërisht. Historikisht, turizmi është goditur disa herë nga krizat shëndetësore, ekonomike dhe terroriste, e megjithatë përsëri ka arritur të ringrihet e të rikuperohet. E duket se me këtë shpresë e optimizëm janë dhe operatorët turistikë në Shqipëri, të cilët me optimizmin e numrave që flasin për një përhapje të vogël të pandemisë në vëndin tonë e për më tepër një numër shumë i vogël humbje jetësh, duket se ofrojnë paketën më të mirë turistike për këtë sezon veror. Alternativa më e përfolur këtë kohë për sa i përket turizmit është ai i turizmit të brëndshëm, destinacione që mund të arrihen lehtësisht në rrugë tokësore në pak orë. Nga kjo pikëpamje Shqipëria duket se ka një avantazh të madh duke qënë se një pjesë e konsiderueshme e turizmit bazohet nga ky lloj turizmi. Edhe Italia, Gjermania, Turqia, Greqia e shumë vënde të tjera, po punojnë në këtë drejtim me thirrjen për të pushuar brenda vendit, thirrje qëi bashkohen edhe operatorët turistikë shqipëtar “Eja pusho në Shqipëri” e cila duket si mënyra më e mirë për të shpëtuar turizmin e vendit e për të bërë njëkohësisht të njohur në rang botëror atraksionet dhe vlerat tona kulturore si komb. Për të vazhduar në rrugën e suksesit që turizmi shqiptar ka njohur veçanërisht vitet e fundit, me një numër gjithmonë e në rritje të turistëve të huaj, ata që e vizitojnë për herë të parë e shumë të tjerë që rikthehen për të përjetuar e shijuar përsëri bukurinë e vendit tonë, bëje dhe TI Shqipërinë pjesë të axhendës tënde turistike këtë vit, ….Eja pusho në Shqipëri!

KUSH ËSHTË ANA CENO

Diplomuar në degën e Historisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë në vitin 2012. Specializuar në fushën e Guidës Turistike dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas studimet post Master në Torino, Master Ndërkombëtar në fushën e Trashëgimisë Botërore dhe Projekteve Kulturore për Zhvillim organizuar nga UNESCO në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Torinos dhe ITCO. Me eksperiencë pune dhe trajnimesh si brenda ashtu edhe jashtë vendit, eksperienca e saj e fundit ka qenë në Buenos Aires, Argjentinë, ku ka punuar në Galerinë e Artit Kontemporan Latin, Rolf Gallery Art.