Sport Ndizet sfida e Champions-it, Bufon: Pogba të rrijë urtë përballë meje…

Ndizet sfida e Champions-it, Bufon: Pogba të rrijë urtë përballë meje…

Përvojën e tij në Ligën e Kampioneve nuk e ka askush te PSG dhe kjo është edhe një nga arsyet përse francezët e transferuan Xhanluixhi Bufonin këtë sezon në “Parc des Princes”.

Por me mungesat që skuadra e tij udhëton drejt Mançesterit dhe formën që po kalojnë “djajtë e kuq” pas uljes së Ole Gunar Solskjaerit në stol, portieri italian është i shqetësuar.

“Mendoj se duhet të përmirësohemi sa i përket mentalitetit, sjelljes dhe shpirtit të sakrificës për skuadrën”, tha 41-vjeçari pas fitores ndaj Bordosë.

“Të martën na pret një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet të bëjmë një lojë të shkëlqyer. Sfida kundër Mançester Junajtid duhet të jetë më e vrullshme, më e fortë dhe me një tjetër sjellje.

Favoritë? Jo, nuk jemi favoritë. Mendoj se është një duel 50-50. Luajmë në tempullin e një skuadre të madhe, e cila ka një histori shumë të rëndësishme. Dhe ne luajmë një ndeshje të 1/8-ave për shumë arsye. Duhet të jemi seriozë dhe mos kemi asnjë peng. Futbolli është i çuditshëm.

Dy muaj më parë, në momentin e shortit, të gjithë njerëzit mendonin se do të kualifikohej PSG. Kanë kaluar dy muaj dhe ka ndodhur një evolucion për Mançesterin dhe sot jemi të barabartë. Kjo të bën të kuptosh se sa e çuditshme është dhe sesi ndryshojnë ekuilibrat në Champions”.

Pastaj dhe një batutë për Pogbanë, ish-shokun e tij te Juventusi: “Pogba është një djalosh i artë. Gëzohem gjithnjë ta takoj, sepse është një kampion i pabesueshëm. Sigurisht që shpresoj të më respektojë, sepse më detyrohet dhe që të rrijë shumë urtë”.