Kryesore Ndryshime në qeveri? Rama: Kemi bërë gabime, po reflektojmë pas shuplakës së...

Ndryshime në qeveri? Rama: Kemi bërë gabime, po reflektojmë pas shuplakës së studentëve

Pas pesë orësh mbledhje kryesie të PS, Edi Rama foli për mediat.

Kryetari socialist tha se mbledhja ka marrë shtysë nga protesta

Rama tha se çdo ditë qeveria ka gjëra për të përmirësuar, dhe kjo është një sfidë më vete.

“Në kuadrin e një procesi të premtuar reflektimi që sigurisht ka marrë shtysë nga protesta e studentëve, por është në ADN-në tonë dhe është një tjetër shprehje e dijes se çdo ditë ka gjëra për tu përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm dhe se mbi të gjitha në boshllëkun e një opozitë të besueshme është një sfidë më vete që të vetëkorrigjohemi në vijim”.

Kreu i qeverisë u shpreh se në mbledhje pjesë e diskutimit ka qenë dhe protesta e studentëve dhe arsyet e saj.

“Kemi folur për partinë, organizmin në tërësi, mekanizmat e komunikimit, domosdoshmërinë e një raporti me shoqërinë, ku shoqëria dhe zëri i saj të gjejë më shumë hapësira dhe dëgjimin që meriton në partinë tonë dhe kjo e fundit të shtrihet në mënyrë më të natyrshme në shoqëri. Kur them partia kam parasysh të gjithë bazën e veprimtarisë tonë, sepse të gjitha mekanizmat përfaqësues janë të lidhura me raportin e krijuar në terren mes njerëzve.

Kemi shumë për të përmirësuar dhe është një proces pozitiv. Patjetër që kemi diskutuar për arsyet, faktorët që ne ta mëshirojmë atë që është shqetësimi real i protestës në formën që ajo mori nga shumë studentë që i thonë vetës apolitike.

E kanë shkundur politikën në raport me vetveten dhe një shuplakë qeverisë, unë e kam thënë.

Reflektimi ynë pas kësaj shuplake do të vazhdojë të thellohet në funksion për të qenë të denjë në funksion jo vetëm të tyre por edhe shoqërisë”.

Lidhur me ndryshimet në qeveri, Rama tha se e di radhën e lëvizjeve gjithmonë përpara se të vendoss.

“Unë nuk e them fjalën e fundit të parë. Unë e di radhën e lëvizjeve gjithmonë, do bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do ti përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve dhe do shkojmë përtej. Ka ende shumë për të bërë, pasi njerëzit meritojnë shumë më tepër. Kemi bërë gabimet tona, që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë, punojë që përpiqen të spostohen nga diku në diku tjetër. E rëndësishme është të mësojmë prej gabimeve. E lexojmë me shumë respekt mesazhin e protestës”.