Bota Ndryshimet klimatike, e gjithë bota ngrihet në këmbë, protesta në 150 vende

Ndryshimet klimatike, e gjithë bota ngrihet në këmbë, protesta në 150 vende

Nga Londra në Nju Jork, nga Melburni në Paris. Qindra mijëra aktivistë do të marrin pjesë në një grevë të përgjithshme globale të premten, në atë që pritet të jetë aksioni më i madh i këtij lloji në historinë e planetit.

Marshimet nisën nga Melburni i Australisë ku sipas organizatorëve mbi 100 mijë persona dolën nëpër rrugë. Me pankarta ku shkruhej, “Zgjohuni, klima po ndryshon”, apo premtime të thyera, pjesëmarrësit u kërkuan liderëve globalë në samitin e OKB për klimën të ndërmarrin masa urgjente për të ndalur një katastrofë mjedisore.

Protesta të ngjashme të frymëzuara nga aktivistja 16-vjeçare suedeze Greta Thunberg e të organizuara nga studentët, janë planifikuar në 150 vende gjatë së premtes. Qëllimi është që qytetarët rreth botës të flasin në një zë për parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike në planet.

Pjesëmarrës nuk do të jenë vetëm të rinjtë, por edhe grupe humanitare, organizata në mbrojtje të ambientit,  punonjës dhe gjithashtu disa prej kompanive më të mëdha në botë.

Greva do të kulmojë në Nju Jork kur Thunberg, e kandiduar për çmimin Nobel të paqes,  do të kryesojë manifestimin pranë selisë së OKB.