Bota Ndryshimet klimatike rrisin numrin e vdekjeve dhe transmetimin e sëmundjeve

Ndryshimet klimatike rrisin numrin e vdekjeve dhe transmetimin e sëmundjeve

Një artikull i kohëve të fundit, i publikuar në mbi 200 gazeta mjekësore paralajmëroi se ndryshimet e klimës përbëjnë kërcënim për shëndetin publik.

Valët e të nxehtit rrisin numrin e vdekjeve, sidomos tek të moshuarit dhe gjithashtu prekin gratë shtatzëna.

Krahas këtij efekti direkt ka edhe efekte indirekte, si për shembull transmetimi i sëmundjeve si ethet tropikale, të cilat do të shtohen nga ndryshimet e klimës.

“Një nga pikat kyçe është se shumë njerëz e konsiderojnë ndryshimin e klimës vetëm një kërcënim mjedisor. Por ai është edhe një kërcënim për shëndetin tonë, për shëndetin e brezave të sotëm e të ardhshëm. Dhe nëse e përkufizojmë ndryshimin e klimës si një kërcënim shëndetësor, kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e ambicies për të shkurtuar emetimet e gazrave,” – u shpreh epidemiologu Sir Andy Haines.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se përpjekjet e disa liderëve për të reduktuar emetimet e karbonit janë të pamjaftueshme. Në veçanti janë krerët e shteteve të pasura ata që duhet të bëjnë ndryshime thelbësore.

Më herët gjatë muajit, Kombet e Bashkuara e cilësuan katastrofën mjedisore alarmuese për njerëzimin dhe bënë thirrje për ndërhyrje urgjente.