Kryesore Ndryshimet kushtetuese, Meta: Do t’i frenoj

Ndryshimet kushtetuese, Meta: Do t’i frenoj

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare dhe të dakordësuara nga mazhoranca, lista të hapura dhe jo koalicione parazgjedhore, e kanë të pamundur për t’u realizuar pasi bien ndesh me Kushtetutën.

Ai theksoi se ky propozim zeron 9 muaj përpjekje.

“Propozimi për ndryshimet kushtetuese zeron 9 muaj përpjekje. Ndryshimet janë antikushtetuese, janë kundër parimeve të Komisionit të Venecias dhe duhet të nisin të paktën 1 vit para datës së zgjedhjeve. Palët t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes së arritur.

Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues dhe politik për të realizuar ndryshime kushtetuese. Kuvendi ka vetëm 82 deputetë legjitim, që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, ku përfshihen edhe 3 deputetë e opozitës, të cilët nuk pranuan, me të drejtë, të dorëhiqeshin”, u shpreh Meta.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen në kohë kur vendi shpall gjendje të jashtëzakonshme.

“Presidenti i Republikës çmon se Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit dhe nuk mund të trajtohet si dokument më pa vlerë që mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë diskutim gjithëpërfshirës, për arritjen e objektivave të ngushta politike të momentit të një force apo individëve të caktuar.

Një sjelle e tillë e njëanshme, thellon edhe më tej jo vetëm konfliktin politik në vend, por edhe atë institucional.

Si garant i kushtetutës dhe uniteti i popullit, u bëj thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri dhe reflektim dhe njëkohësisht siguroj qytetarët që do të ushtroj të gjithë përgjegjësitë e mia kushtetuese për të frenuar, paralizuar dhe zhvlerësuar një veprim të paprecedent në tre dekada pluralizëm.

Një akt i tillë i njëanshëm nuk do të njihet nga Presidenca”, u shpreh Meta.