Kryesore Ndryshimet kushtetuese trazojnë Tiranën, ndërhyn edhe Gjermania

Ndryshimet kushtetuese trazojnë Tiranën, ndërhyn edhe Gjermania

Kalimi i propozimeve për ndryshime kushtetuese të sistemit zgjedhor në Kuvend nxiti të martën një valë replikash në distancë mes opozitës dhe shumicës socialiste, replika në të cilat nuk mbeti pa u përfshirë as Presidenti Ilir Meta, ndërsa ka ndërhyrë edhe Gjermania.

Opozita e Bashkuara

Opozita e bashkuar e cilësoi “lojë të pisët” miratimin e propozimeve për ndalim të koalicioneve parazgjedhore dhe hapje të listave të kandidatëve në komisionin parlamentar të ligjeve.

Në deklaratën e saj opozita u shpreh se kjo nismë cenon marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, interesat e vendit, integrimin, stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.

Duke kërkuar miratimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 qershorit, opozita la të nënkuptohet se nuk do t’i njohë ndryshimet e nisura nga shumica socialiste dhe opozita parlamentare.

“Të gjithë të distancohen nga Haxhi Qamilët!”

Pak më vonë, për këtë çështje u shpreh edhe presidenti Ilir Meta. Përmes zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, ai tha se ligjërisht Kuvendi “ka vetëm 82 deputetë” duke nënkuptuar këtu se çdo ndryshim i Kushtetutës do të ishte i papranueshëm.

“Kuvendi ka formalisht vetëm 122 deputetë nga 140 që duhet të kishte sipas Kushtetutës. Ndaj është koha t’i jepet fund çdo marrëzie, fundi i së cilës dihet qartë. Të gjithë të distancohen nga aventurierët dhe Haxhi Qamilët!”,– shkroi në Facebook zëdhënësi i Metës.

Reagimi i Ramës

Pas këtij komenti reagoi kryeministri Rama, i cili iu drejtua direkt edhe Presidencës edhe opozitës.

Kryeministri mbrojti qëndrimin “pro” ndryshimeve kushtetuese dhe tha se ato i “bëjnë mirë vendit”, ndërsa shigjetoi direkt opozitën.

“As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet të merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi!” – komentoi Rama në Twitter.

Wadephul: Hiqni dorë nga ndryshimet kushtetuese

Edhe Berlini ka reaguar për këtë çështje. Zv/kryetari i grupit të CDU-CSU-së në Bungestagun gjerman, Johann Wadephul i kërkon mazhorancës dhe Kuvendit të Shqipërisë që të votojë pa asnjë ndryshim draftin e Kodit Zgjedhor të dakordësuar në mes palëve në Këshillin Politikë.

Në një deklarate të shpërndarë nga “Conrad Adenauer”, Wadephul thekson se ndryshimet e planifikuara kushtetuese shkatërrojnë Reformën Zgjedhore dhe bëjnë të pavlefshëm konsensusin e arritur më 5 Qershor.

“Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit. Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në Mars të këtij viti”.

Për më tepër, sipas numrit dy të grupit parlamentar qeverisë gjermane, kjo do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që u angazhuan në këtë marrëveshje, si dhe do të vinte në pikëpyetje rrugën europiane të Shqipërisë.

“Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 Qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje”.

Ndaj për të shmangur këtë, ai i bën thirrje Kuvendit shqiptar që të heqë dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese dhe të miratojnë sa më parë draftin e miratuar me konsensus në Këshillin Politikë.

84 vota për ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese, njësoj si dhe reforma zgjedhore, kërkon votim me shumicë të cilësuar në parlament, thënë ndryshe 84 vota.

Partia Socialiste ka 75 deputetë, ndërsa në parlamentin me 122 deputetë, 3 grupimet opozitare të cilat kanë kundërshtuar marrëveshjen e 5 qershorit që arriti PS-PD-LSI kanë 31 vota.