Kryesore Ndryshimet në qeveri, Meta: Nuk vlejnë nëse…

Ndryshimet në qeveri, Meta: Nuk vlejnë nëse…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur nga Korça për ndryshimet e Ramës në qeveri, duke theksuar se e rëndësishme është që të ndryshojë filozofia e qeverisjes.

Kreu i shtetit shtoi se nëse nuk ndryshojnë politikat, ndryshimet e emrave nuk i shërbejnë ekonomisë.

“Për mua është e rëndësishme të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese, bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për të bërë ligje më të mira për zbatimin e ligjeve, bashkëpunuese me institucionet e pavarura sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi më reflektues për të sjellë ato ndryshime që kanë nevojë njerëzit në vështirësi, një pjesë e mirë e shqiptarëve, për më tepër për të zgjeruar dhe konsoliduar shtresën e mesme në vendin tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale që mund të bëhej shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë”, deklaroi Meta.

“Mund të them që mund të ndërrohet çdo 6 muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave nuk i vlejnë as fermerëve, as ekonomisë, as vendit. Kam kohë që kërkoj të ndjekim të paktën modelin e Maqedonisë”, deklaroi Presidenti.