Kuriozitete Ndryshimi i ri në Instagram, parandalon varësinë ndaj teknologjisë

Ndryshimi i ri në Instagram, parandalon varësinë ndaj teknologjisë

Gjatë kësaj jave shefi i Facebook prezantoi ndryshimet e reja që do të bëhen në gjigantin e rrjeteve sociale, por duket se pjesë e risive është edhe Instagram, rrjeti social i fotove dhe videove që është pjesë e Facebook Inc.

Instagrami do të heqë numrin e “pëlqimeve” nëpër postime, një veprim ky që pasqyron përpjekjet e kompanive të mediave sociale si Twitter Inc. për t’i bërë platformat e tyre më të sigurta për përdoruesit e tyre.

“Ne jemi duke bërë një test në Kanada që heq numrin e përgjithshëm të ‘pëlqimeve’ nëpër foto dhe ‘shikimeve’ të videove”, tha Facebook në një postim në blog përpara konferencës zhvilluese të kompanisë F-8. “Ne po e testojmë këtë sepse duam që ndjekësit tuaj të përqendrohen në fotot dhe videot që ju ndani, dhe jo sa pëlqehen apo shihen ato”.

Për shumë kohë rrjete sociale janë akuzuar si shkaktari kryesor i varësisë së njerëzve me teknologjinë, ndërsa sipas një studimi të zbuluar pak kohë më parë tregon se të njëjtat pjesë truri që aktivizohen duke ngrënë çokollatë dhe apo për të fituar para, nxiten edhe kur adoleshentët shohin një numër të madh të “pëlqimeve” në fotot e tyre.

Twitter lëshoi një aplikacion prototip në fillim të këtij viti që e bën më pak të dukshëm numrin e pëlqimeve dhe ‘retweets’ nëpër publikime, në një përpjekje për ta bërë shërbimin më shoqëror.