Sport Në “bunkerin” e Giampaolos, risitë e Milanit të ri

Në “bunkerin” e Giampaolos, risitë e Milanit të ri

Pesë miqësore deri tani, nga të cilat vetëm njëra është fituar, ajo ndaj Feronikelit në festën e madhe të Pristhinës, por Milani i Marco Giampaolos nuk ka për synim që të shpallet “kampione e verës”, por të synojë rikthimin në Champions League sezonin që do të nisë më 25-26 gusht në Serie A, kur gjërat do të nisin të bëhen serioze.

E megjithatë, deri tani, ata që kanë parë punën e ish-trajnerit të Sampdorias, janë befasuar totalisht. Vetëm dita e parë e stërvitjes dhe grumbullimit ishte e hapur për tifozët. Më pas, vetëm heshtje, vetëm izolim dhe një bunker i vërtetë.

Nuk dalin shumë informacione, vetëm kur klubi poston foto, ose video, apo gazetarët e pranishëm, të brendshëm, raportojnë metodologjinë e punës. Madje, edhe miqësorja ndaj Novarës ishte “e mbuluar”. Një tjetër miqësore ka mbetur përpara se të nisë kampionati, ajo ndaj Cesenës, por që do të jetë e mundur të shihet në facebook dhe youtube.

Luhet në “Dino Manuzzi” të Çezenës. Sakaq, deri tani, trajneri ka eksperimentuar idetë e tij. “Është maniak, nuk e dija kështu! Mundohet të na shpjegojë çdo gjë, çdo lojtari”, u shpreh Calabria për Giampaolon.

Jo vetëm kaq, por trajneri bën stërvitje me dy grupe të ndara, në dy orare të ndryshme. Kjo sepse dëshiron t’i japë vëmendje të gjithëve, masën e duhur të gjithëve dhe sidomos udhëzimet e duhura të gjithëve.

Veç kësaj, tekniku po përpiqet që të përdorë disa fantazistë, në mënyrë që të ketë fishekë në dispozicion. Piatek po i kërkohet një tjetër punë dhe lëvizje që nuk ka asimiluar ende, ndërsa po punohet shumë me Leaon, për ta bërë më të ekuilibruar si sulmues të dytë.

Paqueta është një tjetër mision, si mesfushor krahu dhe jo fantazist. Trajneri Giampaolo, ashtu si Gattuso, mendojnë se aty jep më të mirën, por “duhet të edukohet me disiplinë taktike”.

Ka nisur stërvitjen edhe blerja tjetër e verës, Bennacer, që ishte duke pushuar pas impenjimit me Algjerinë. Një “Pjanic” për kuqezinjtë, e kanë cilësuar. Maldini dhe Boban nxituan duke paguar 16 mln euro dhe 2 bonus, përpara se Kupa e Afrikës të hynte në fazën e nxehtë, sepse tani çmimi i tij do të ishte të paktën 30 mln euro.

Bonaventura i ka pëlqyer shumë trajnerit, që e sheh si armën më të fortë, ashtu si Suso po përshtatet. Bunkeri Giampaolo vazhdon të jetë një fortesë ku askush nuk futet dot, përveç se idetë e trajnerit.