Ekonomi Në bursa është në rënie, por Bordi rrit me 9 lekë për...

Në bursa është në rënie, por Bordi rrit me 9 lekë për litër çmimin e naftës

Bordi i transparencës ka vendosur sot që të rrisë çmimin e karburanteve në vend.

Sipas vendimit të Bordit, një litër naftë do të tregtohet me 208 lekë për litër, nga 199 lekë që është sot, ose 9 litra më shtrenjtë.

Vendimi i Bordit vjen në një kohë që nafta në Bursa është në nivelet më të ulëta nga tetori i vitit 2021. Në atë kohë në vend, një litër naftë tregtohej mesatarisht me 174.5 lekë për litër sipas të dhënave të INSTAT, ndërsa sot është 33 lekë më shtrenjtë, ose 16% më shtrenjtë.

Çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 196 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.