Ekonomi Në “ethet” e shitblerjeve: Bankat që priten të largohen nga Shqipëria dhe...

Në “ethet” e shitblerjeve: Bankat që priten të largohen nga Shqipëria dhe ato që do të zgjerohen

Disa prej grupeve të huaja bankare kanë vendosur të largohen nga Shqipëria dhe kanë nxjerrë në shitje bankat në vendin tonë. Të tjerë aktorë po përpiqen të zgjerohen dhe janë të interesuar për ta bërë këtë përmes blerjes. Ja bankat që priten të largohen nga Shqipëria dhe ato që do të zgjerohen.

Sektori bankar i rezistoi me sukses krizës ekonomike dhe ndodhet në një fazë të rimëkëmbjes. Kreditë me probleme po bien, kreditimi po gjallërohet ngadalë, ndërsa fitimet po rriten, të paktën për pjesën më të madhe të bankave. Megjithatë, kriza ka lënë shenjën e vet në strategjitë e shumë prej bankave që veprojnë në Shqipëri. Disa prej bankave që i takojnë grupeve të mëdha europiane ka vendosur të reduktojnë përmasat e aktivitetit në Shqipëri, në linjë me strategjinë e ngjashme që po ndjekin në shumicën e tregjeve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Disa të tjera, në strategjitë e tyre afatmesme, kanë vendosur të dalin nga tregu shqiptar, duke nxjerrë në shitje bankat që zotërojnë në vendin tonë. Në kushtet kur për grupet bankare perëndimore interesi për tregjet e lindjes ka rënë, tashmë blerësit kryesorë potencialë janë aktorët lokalë. Disa prej bankave të pranishme në tregun shqiptar po kërkojnë të shfrytëzojnë hapësirat e krijuara në treg, jo vetëm përmes rritjes nëpërmjet shtimit të vlerës së aktiveve, por, edhe nëpërmjet blerjeve. Sistemi bankar shqiptar pritet tashmë të përjetojë një proces përqendrimi, në përfundim të të cilit, me shumë të ngjarë, numri i bankave në treg do të jetë më i vogël se 16. Nevoja për konsolidim dhe rritje të eficiencës do të bëjë që disa prej bankave ekzistuese të përthithen.

“Tirana Bank” drejt largimit nga rajoni

“Grupi Bankar i Pireut” ka planifikuar të shesë tërësisht bankat që zotëron në Shqipëri, Bullgari, Serbi dhe Rumani, si pjesë e planit për të ulur ekspozimet jashtë vendit. Mbështetur në planin e “Grupit të Pireut”, kjo manovër do të përfshijë uljen e kredive në këqija në 20 miliardë euro brenda vitit 2020, nga mbi 33 miliardë euro që janë aktualisht. Në prezantimin e strategjisë së zhvillimit, Grupi ka njoftuar zyrtarisht këtë verë se brenda vitit 2020 totali i aktiveve në nivel grupi do të ulet me 70 miliardë euro.

“Grupi i Pireut” ka vendosur të përqendrojë burimet e veta në tregjet ku ka mbajtur historikisht pozita dominuese, duke u tërhequr nga zonat në të cilat grupi ka pësuar humbje dhe rënie të pjesës së tregut. Drejtori i ri ekzekutiv i bankës, Christos Megalou, u shpreh në qershor se vizioni është që Banka e Pireut të jetë më e besueshmja në Greqi. Veç shitjes së bankave në vendet e Ballkanit, strategjia e Grupit të Pireut parashikon edhe shitjen e kuotave në aktivitete të tjera ekonomike jashtë sektorit financiar.

Për të pastruar bilancin, banka ka parashikuar ngritjen e një njësie të veçantë, ku do të transferohen aktivet problematike ose ato të destinuara për shitje. Kjo njësi do të përfshijë aktive për një vlerë rreth 25 miliardë euro, ku do të bëjnë pjesë edhe bankat e grupit jashtë Greqisë. Kjo njësi biznesi do të ketë një raport të kredive me probleme shumë të lartë, rreth 64%, të cilat banka shpreson t’i likuidojë përmes shitjeve dhe ristrukturimeve. Ndërkohë, nën ombrellën e “Bankës së Pireut” do të ngelen aktivet “e mira”, për një vlerë totale në rreth 28 miliardë euro, nga të cilat vetëm 2% do të jenë kredi me probleme. Përmes këtij operacioni, Banka e Pireut synon të rimëkëmbet dhe të shlyejë 2 miliardë euro obligacione nga Fondi i Shpëtimit, që u përdorën për rikapitalizimin e bankës në vitin 2015. Gjithashtu, brenda vitit 2020, “Grupi Bankar i Pireut” ka si objektiv të rifitojë akses në tregjet e financimit dhe të eliminojë huamarrjen nga fondi i emergjencës së Bankës Qendrore Greke. Në fund të qershorit 2017, “Tirana Bank” zotëronte aktive në vlerën e afro 79 miliardë lekëve, ose 5.56% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Në vitet e fundit, banka e “Grupit të Pireut” ka hequr dorë nga rritja dhe është përqendruar në menaxhimin e nivelit shumë të lartë të kredive me probleme, që në momentin më të vështirë ka kaluar pragun e 50% të totalit të kredive. Aktualisht, situata paraqitet e përmirësuar dhe vlerësohet se raporti i kredive me probleme është përgjysmuar. Megjithatë, ky proces i gjatë konsolidimi është shoqëruar me tkurrjen e ndjeshme të përmasave të bankës, sidomos pas vitit 2015. Në tre vitet e fundit, totali i aktiveve të “Tirana Bank” ka rënë me rreth 20%.

“NBG”: Pas Rumanisë, radhën e ka Shqipëria

Një tjetër grup i rëndësishëm bankar grek që ka nisur procesin e tërheqjes nga tregjet rajonale është “Banka Kombëtare e Greqisë” (“NBG Bank”). Edhe në këtë rast, shitja e aktiveve jashtë Greqisë është pjesë e strategjisë së dakordësuar me autoritetet europiane, në planet e ristrukturimit të bankave. Në muajin korrik, “NBG” bëri të ditur arritjen e një marrëveshjeje për shitjen e filialit të grupit në Rumani, “Banca Romaneasca” te banka hungareze “OTP”. Drejtori i përgjithshëm i “NBG Bank”, Leonidas Fragiadakis, u shpreh në muajin korrik se grupi grek do të shesë gjithashtu aktivitetet e saj në Serbi, Shqipëri dhe Qipro. Këto operacione pasojë të tjera shitje të rëndësishme të grupit “NBG”, si ajo e bankës turke “Finansbank” te “Banka Kombëtare e Katarit” apo shitjen e filialit bullgar “UBB” te banka belge “KBC”. Pas tre kapitalizimesh radhazi, “NBG” do të përqendrohet në tregun grek, për të ndihmuar në daljen e ekonomisë nga recesioni. Në Shqipëri, “NBG Bank” zotëron aktive në vlerën e 40 miliardë lekëve, që i japin një pjesë tregu pak më të vogël se 2.9%. Edhe “NBG” e ka frenuar rritjen që prej vitit 2014, duke u përqendruar kryesisht në menaxhimin e portofolit ekzistues dhe në kontrollin e nivelit të kredive me probleme.

Në largim edhe malajzianët

Një tjetër grup bankar që tashmë po kërkon blerës për filialin e vet në Shqipëri është “ICB Banking Group”, kompani e regjistruar në Zvicër, por me kapital malajzian. Ky grup është i pranishëm në Shqipëri që prej vitit 1997 me “Bankën Ndërkombëtare Tregtare”, por pa arritur ndonjëherë të fitojë pjesë të rëndësishme në tregun vendas. Që në vitin 2012, “ICB Banking Group” vendosi të tërhiqej nga aktiviteti i bankingut dhe, qysh atëherë, ka shitur pjesën më të madhe të bankave që ishin pjesë e grupit. Në vitin 2007, ky grup zotëronte 15 banka në Afrikë, Azi dhe në Europë, ndërsa aktualisht zotëron vetëm tre banka, në Shqipëri, Tanzani dhe Bangladesh. Sidoqoftë, siç është bërë e qartë nga vetë grupi, qëllimi i tij është dalja e plotë nga biznesi bankar dhe për këtë arsye po kërkohen blerës edhe për bankat e mbetura, përfshi edhe atë në Shqipëri. Në Shqipëri, “Banka Ndërkombëtare Tregtare” zotëron aktive në vlerën e 9.8 miliardë lekëve ose rreth 0.7% të tregut.

“Intesa”-“Veneto”, përqendrimi ka nisur

Procesi i përqendrimit të sistemit bankar shqiptar mund të thuhet se ka nisur tashmë, pasi grupi “Intesa Sanpaolo” vendosi të blejë një pjesë të aktiveve të grupit “Veneto Banca”, mes të cilave përfshihet edhe filiali i grupit në Shqipëri. Pas përfundimit të plotë të operacionit të shitblerjes, që do të kërkojë miratimet formale nga rregullatorët në vendet ku veprojnë bankat e grupit, pritet që “Veneto Banka” në Shqipëri të përthithet nga banka më e madhe, “Intesa Sanpaolo”. Kjo do të bëjë që numri i bankave në tregun shqiptar të zbresë në 15, nga 16 që janë aktualisht.  Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit 2017, “Intesa Sanpaolo” zotëronte 11.25% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, ndërsa “Veneto Banka” mbante 1.8%. Të marra së bashku, ato do të zotëronin rreth 13.05%, çka do të bënte që banka “Intesa Sanpaolo” të bëhej sërish banka e tretë më e madhe në tregun shqiptar. “Intesa” e humbi këtë pozicion vitin e kaluar, pasi u kalua nga “Credins Bank”.

“ABI Bank” në negociata për të blerë “NBG Bank”

Një nga bankat më të interesuara për t’u zmadhuar përmes blerjeve është edhe më e reja në treg, “Banka Amerikane e Investimeve” (“ABI Bank”). Banka me kapital amerikan hyri në tregun shqiptar në fund të vitit 2015, duke blerë “Credit Agricole – Shqipëri”. Pas blerjes nga grupi amerikan, banka po ndërmerr një proces rimëkëmbjeje dhe rritjeje. Në fund të qershorit 2017, “ABI Bank” zotëronte 2.71% pjesë tregu, nga 2.3% që kishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, duket se banka nuk do të mjaftohet me rritjen organike, por është mëse e interesuar për t’u zgjeruar, duke blerë një bankë tjetër. Sipas burimeve nga tregu, “ABI Bank” është në negociata për blerjen e “NBG Bank”. Në këtë fazë, diskutimet janë konfidenciale dhe nuk dihet sa pranë marrëveshjes mund jenë palët. Nëse shitja do të realizohet, “ABI Bank” prakitikisht do të dyfishonte përmasat e saj. Kjo sepse “NBG Bank” aktualisht ka një pjesë tregu edhe më të madhe se vetë “ABI Bank”, me 2.86%. Nga bashkimi, “ABI Bank” do të dilte më një pjesë tregut rreth 5.6%, çka do ta bënte bankën e gjashtë më të madhe në tregun shqiptar, pas “Societe Generale – Shqipëri”.

Edhe “Fibank” dëshiron të zgjerohet

Një tjetër bankë shumë e interesuar për t’u zgjeruar përmes blerjes është “Fibank”. Ndonëse akatualisht në Shqipëri mban një pjesë tregu modeste prej 1.35%, grupi bankar bullgar i ka dhënë prioritet rritjes në tregun shqiptar, duke blerë një bankë me përmasa më të mëdha nga ato të filialit të saj në Shqipëri. Në një intervistë për “Scan Magazine” në fund të vitit të kaluar, drejtori i përgjithshëm i “Fibank – Shqipëri”, Bozhidar Todorov, tha se banka e tij shumë e përkushtuar ndaj tregut shqiptar dhe se ka ambicie për t’u rritur.

“Për sa i takon konsolidimit të sistemit bankar në Shqipëri, besoj se kjo është një gjë pozitive. Kjo do të japë rezultate të mira dhe do ta forcojë sistemin bankar, sepse investitorët më të interesuar për tregun lokal do të rrisin pjesën e tyre të tregut. “Fibank” e sheh veten si një investitor të tillë dhe besojmë se është koha për blerës lokalë. Po kërkojmë mundësi për t’u rritur, qoftë përmes rritjes sonë të natyrshme, qoftë përmes blerjeve, në tregun shqiptar, por edhe më gjerë në vendet e rajonit,” u shpreh z.Todorov.

I kontaktuar së fundmi nga “Scan Magazine”, z.Todorov pranoi se “Fibank” është në diskutime për të blerë një bankë tjetër, por nuk pranoi të jepte hollësi të mëtejshme për momentin. Sidoqoftë, identikiti i bankës që dëshiron të blejë grupi bullgar përputhet kryesisht me dy bankat greke në largim, “Tirana Bank” dhe “NBG Bank”. Ndonëse nuk ka një koment zyrtar nga “Fibank”, besohet se edhe në këtë rast interesi kryesor është për blerjen e “NBG”. Ndër bankat greke, “NBG” ka pasur një problematikë më të kufizuar në tregun shqiptar, edhe për shkak të një orientimi më të madh në segmentin retail, çka shmangu goditje të rënda nga kreditë problematike të biznesit, siç ndodhi me “Tirana Bank” apo me ish-bankën “Emporiki/Credit Agricole”. Për këtë arsye, për një blerës potencial, “NBG Bank” sot duket të jetë një objektiv më i lakmuar në raport me “Tirana Bank”. Nga ana tjetër, “Tirana Bank” është edhe një bankë më e madhe, me një pjesë tregu në rreth 5.5%. Rrjedhimisht, për një blerës lokal të përmasave më të vogla, blerja e “Tirana Bank” do të ishte më e vështirë.

“Union Bank”, profil në rritje

Një tjetër bankë që në vitet e fundit është shfaqur dinamike në rritjen e vet është banka e dytë me kapital shqiptar, “Union Bank”. Në vitet e fundit, “Union Bank” është rritur vazhdimisht dhe tashmë zotëron mbi 3% të tregut. Edhe kjo bankë ka shfaqur ambicie për t’u zgjeruar në të shkuarën e afërt. Dy vjet më parë, kur “Credit Agricole” po kërkonte një blerës për bankën e saj shqiptare, “Union Bank” u shfaq si një nga bankat e interesuara. Ndonëse në atë rast blerja nuk u realizua, ambiciet e “Union Bank” për t’u rritur ngelen evidente dhe nuk përjashtohet që banka shqiptare të jetë një blerës potencial në këtë moment gjallërie në tregun e bankave.

Bankat më të mëdha

Viti 2017 po konfirmon tendencën e rritjes së peshës së bankave lokale në tregun bankar shqiptar. Në zgjerim janë sidomos bankat me më shumë autonomi në vendimmarrje dhe më pak kufizime nga bankat mëmë jashtë vendit. Sipas statistikave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit “Banka Kombëtare Tregtare” ishte më e madhja në tregun bankar shqiptar, me 26.95% të totalit të aktiveve. Ajo po rritet me ritme të shpejta dhe e ka zgjeruar pjesën e tregut me afro nëntë pikë përqindje në pesë vitet e fundit. “Raiffeisen” mban vendin e dytë në treg, me 17.93% të totalit të aktiveve, por me një tendencë të vazhdueshme në rënie. Në një vit, “Raiffeisen” e ka ulur peshën e saj specifike në treg me dy pikë përqindjeje, në përputhje me strategjinë e grupit vienez për të zvogëluar përmasat e aktivitetit në tregjet e Europës Qendrore dhe Juglindore. “Credins” po konsolidon më tej vendin e tretë në treg dhe në fund të qershorit zotëronte 11.88% të totalit të aktiveve. Në pesë vitet e fundit, “Credins” e ka rritur pjesën e vet të tregut me katër pikë përqindjeje. Këtë vit, “Credins” është bërë banka e dytë më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare, duke lënë mbrapa “Raiffeisen”. Në fund të qershorit, portofoli i kredisë së “Credins Bank” arriti në afro 97 miliardë lekë, çka përbën 17.2% të portofolit total të kredisë për ekonominë.

Ersuin Shehu/SCAN Magazine