Kristjan Asllani humbi një tjetër mundësi për të treguar vlerat e tij dhe në fund të sezonit do të largohet edhe pse është nën kontratë deri në 30 qershor të 2028. Mesfushori shqiptar sipas Gazzetta dello Sport ishte më i dobëti në humbjen 3–0 ndaj Milanit që solli eliminimin e Interit nga Kupa e Italisë.
“Gazzetta dello Sport” thekson se derbi në Kupën e Italisë do të jetë i fundit për Asllanin me fanellën e Interit.
“Teorikisht, mbiemri “futuristik” do t’i përshtatej mirë Asllanit. Por ne jemi tani në fund të sezonit të tij të tretë me Interin. Mjaftueshëm që drejtuesit dhe trajneri të kenë një ide të qartë për potencialin e tij dhe aftësinë e tij reale për ta vënë në fushë. Edhe me të do të ketë një ndarje në fund të sezonit, Interi aty në mes do të bëjë zgjedhje të tjera përkrah Çalhanollu.
Kur ai mbërriti – ishte vera e vitit 2022 – Interi mendoi se kishte gjetur një yll potencial, aq sa vendosi të investonte 14 milionë euro për mesfushorin. Por Asllani mbeti praktikisht i ndalur: premtim i një kampioni, vetëm premtim. Pak, shumë pak, është rritur gjatë këtyre tre sezoneve: ndryshimi midis titullarëve dhe zëvendësuesve në rastin e tij është gjigand. Dhe limitet duken gjithmonë të njëjtët: kundërshtarët ndryshojnë dhe javët kalojnë, por ngadalësia e mendimit në qarkullimin e topit është e dukshme.
Në pjesën e parë, Inzaghi praktikisht u ngjir për t’i treguar se çfarë lloj zgjidhje të bënte, më pas në fillim të pjesës së dytë edhe ai gjithashtu u dorëzua dhe e zëvendësoi. Një tjetër mundësi e humbur. Kush e di sa të tjera do të mbeten”, shkruhet në artikullin e gazetës së njohur italiane për mesfushorin shqiptar.