Politika “Në listën e PD u futën gra që kanë pjellë 4 fëmijë”,...

“Në listën e PD u futën gra që kanë pjellë 4 fëmijë”, Imami sqaron deklaratën

Deputeti demokrat Arben Imami është vendosur në shënjestër të akuzave pas deklaratave të bëra mbrëmë në “Opinion”, ku tha se Basha la jashtë Topallin dhe “futi në parlament gra shtëpiake që kanë pjellë 3-4 fëmijë”.

Deklarata e tij u cilësua fyese dhe pati reagime të shumta, sidomos në rrjetet sociale.

Për këtë arsye, Imami ka reaguar sot duke sqaruar kontekstin e deklaratës së  bërë.

DEKLARATA E IMAMIT

Lindja e njeriut është ngjarja më e madhe botërore. Gruaja ka detyrimin dhe fatin e madh të amësisë, por ky është një fakt natyror, dhe i përket sferës private, familjare.

Kjo nuk do të thotë se ajo është e privuar nga jeta publike – vetëm një marksiste feministe fondamentaliste si Shulamith Firestone thotë se ajo duhet ta ndryshojë këtë kusht natyror për t’u përfshirë në jetën publike.

Krahasimi im ka qenë midis meritës publike të znj. Topalli (e cila gjithashtu ka lindur fëmijë, por kjo nuk është arsyeja e meritës së saj publike) dhe mungesës së plotë të deritanishme të jetës publike të zonjës kandidate.

Shpresoj të kemi davaritur nëse ka pasur ndonjë paqartësi dhe jo aktivizëm politik në vërejtjet e bëra.

Dashamirësisht, Arben Imami!