Aktualitet Në mërgim prej vitit 1400, pasardhësi i familjes Muzaka rikthehet në atdhe

Në mërgim prej vitit 1400, pasardhësi i familjes Muzaka rikthehet në atdhe

Një nga pasardhësit e familjes Muzaka ka vendosur të kthehet në Shqipëri. Të larguar prej atdheut që prej vitit 1400, Jozef Muzaka rrëfen se traditat, veshjet dhe festat janë ruajtur ndër shekuj me shumë fanatizëm.

Në vitet 1400 mërguan në Itali, dhe në 1900 një pjesë e tyre në Amerikë, por sot jemi në shtëpinë e një prej trashëgimtareve, që ka vendosur të kthehet dhe të jetojë në Shqipëri

“Ishte dëshira e gruas që të ktheheshim këtu dhe gjithçka që dimë dhe investonim në Amerikë ta bëjmë në Shqipëri. Vendosëm të vijmë dhe t’i japim mundësinë fëmijëve nëpër zonat ruralë, të aktivizohen. Kemi krijuar një ligë futbolli, kampionat volejbolli për vajzat, kemi ngritur edhe kampe verore në disa fshatra”, shprehjet Jozef Muzaka.

Të mos kthehesh pas në kohë, do të ishte një humbje kur në shtëpi të pret një arbëresh që me shumë pasion tregon një kalvar të gjatë historish të familjes së tij dhe të tjerave që qëndrojnë në “Piana degli Albanesi”.

“Është një histori e gjatë, por Piano de Albanezi u bë qendra e Arbëreshëve. Familja ime u zhvendos në Center Kristina, ku krijuan qeverinë e tyre dhe stërgjyshi im drejtonte tregtinë dhe verërat. Bënim tregti me familjet e pasura në Francë deri sa marrëdhëniet Francë-Itali u prishën dhe tregtia pothuajse u bllokua. Stërgjyshi vendosi të na dërgonte në Amerikë. Vetë u kthye sërish në Siçili dhe një pjesë u sëmurën, një histori që ka shumë dritëhije”.

Për bashkëshorten Jola, që u bë pjesë e familjes Muzaka 10 vite më parë, të shihte traditat e Arbëreshëve ishte padyshim një surprizë e bukur.

“Arbëreshët e Italisë i kanë ruajtur më mirë traditat, jam habitur se sa mirë i këndojnë disa këngë të vjetra”, tregon ajo.

“Gege” është një nga fjalët e vjetra shqipe që arbëreshët e kanë ruajtur dhe Jozefi na tregon dhe disa të tjera.

“Shumë njerëz thonin është Gegë? Por nuk është kjo. Ishte “Gegem” një fjalë e vjetër që sot korrespondon fjalës “më dëgjo”.

Gjyshi thoshte shpesh, “e pra ga vemi de hor e de hor”? Për shumë vite askush nuk e dinte çfarë do të thoshte ajo, por sot e dimë që thoshte; “e pra shkojmë në ‘De Hor’, që do të thotë në qendër të “Piano de albanezi””, shprehet pasardhësi i familjes Muzaka.

Traditën më të madhe të ruajtur në arbëreshët, Jozef Muzaka quan “Fjalën e dhënë”.

“Të parët e mi në Siçili, kanë festuar çdo aktivitet dhe ruanin çdo traditë por një pjesë që na diferenconte nga të gjithë, dhe aty kuptohej që ishim ndryshe ishte bashkimi i madh i familjes. Gjithë jetën na ishte thënë të gjithëve, fjala është gjithçka, mbajeni fjalën dhe kur më pyetët për traditat unë them që kjo ishte tradita më e madhe dhe më e rëndësishmja nga të gjitha, kjo ishte trashëguar por që sot nuk e shohim shumë”, thotë ai.

Por a është duke humbur gjuha arbëreshe dhe si duhet të ruhet ajo. Çfarë duhet bërë më shumë nga shteti amë që sidat e sotme t’i kapërcejmë.

“Është e rëndësishme mos të humbasë historia sepse është e dëmshme që mos të kesh identitet. Nuk duhet harruar kurrë se nga jemi dhe nga vijmë për këtë kemi luftuar”, shprehet ai.

Jozef Muzaka u kthye për të qëndruar dy javë me bashkëshorten në Shqipëri, por dashuria për vendin bëri që të merrnin vendin për të jetuar këtu.

Burimi: Euronews Albania