Aktualitet Në Myzeqe rikthehet parmenda. Fermerët s’paguajnë dot traktorët

Në Myzeqe rikthehet parmenda. Fermerët s’paguajnë dot traktorët

Në fshatin Hysgjokaj të Lushnjes, koha është ndalur. Qani Sharka është 70 vjeç, por që të mbajë familjen me bukë, i duhet ta punojë tokën si në rininë e tij, me një parmendë të tërhequr nga kali. Kjo metodë primitive i kushton më pak.

“Kam 10 vite që i jam rikthyer kalit. Po punoj me kalë sepse s’ka parà, që t’i bëj të gjitha me zetor. Është shumë shtrenjtë, 2.000 lekë dynymi”, thotë Qani Sharka për TCH, banor i fshatit Hysgjokaj.

Por parmenda, siç ul koston e punës, ul edhe rendimentin e prodhimit, pasi toka nuk plugohet në thellësinë e duhur që kërkon bima.

Unë kam 3 dynymë. Po ta mbjell me zetor shkon rreth 16 mijë lekë. Po plehu dhe autokombajna?”, thotë më tej Qani Sharka.

Muaji nëntor është muaji i mbjelljeve në Myzeqe. Por ashtu si Qaniu, shumë bujq të tjerë vazhdojnë dita-ditës t’i rikthehen parmendës.

Për ata që kultivojnë grurë sa për bukën e gojës, çmimi i shërbimit me mjete mekanike mbetet i papërballueshëm.