Aktualitet Në nderim të veteranit të luftës dhe të punës, Dajlan Karafili

Në nderim të veteranit të luftës dhe të punës, Dajlan Karafili

Është krenari, jo vetëm për ne memaliotët, që kemi jetuar me heronj të kthyer nga lufta, por edhe për çdo trevë.

Edhe pse shumë i vogël në moshë, kam patur fatin të bisedoj me disa nga veteranët e luftës dhe të punës, që banonin në Memaliaj! Një prej tyre është veterani, Dajlan Karafili.

Dajlan Karafili, u lind më 16 janar të vitit 1916, në Luzat të Tepelenës. Nëna e Dajlanit, ishte vajza e Veis Vasjarit, beut të madh, i cili ndërroi jetë dhe la vetëm një vajzë. Në familjen Karafili, jetonin tre motra dhe tre vëllezër. Dy nga vëllezërit e Dajlanit, shkuan në Francë. Vëllai i madh, studioi për inxhinieri miniere dhe punoi e jetoi, po në Francë. Nuk mundi të kthehej në Shqipëri, pasi u sëmurë dhe ndërroi jetë në vitin 1964. Ndërsa vëllai tjetër, punoi në minierat e Saint-Etiene dhe u kthye në Shqipëri, ku jetoi e punoi gjithë jetën e tij. Një nga motra që u martua në Amerikë me një shqiptar, ku pati dhe 4-fëmijë, erdhi edhe si turiste në Shqipëri, në vitin 1982, ku qëndroi tek shtëpia e vëllait të saj, Dajlanit, në Memaliaj. Dy motrat e tjera, u martuan në Shqipëri, ku rritën fëmijë që i shërbyen atdheut për çlirimin e tij nga pushtuesit e huaj. Dajlani, është i vogli i fëmijëve dhe në moshën 25-vjeçare, doli partizanë, ku tregoi një trimëri të jashtëzakonshëm, ku dhe heroi i popullit, Abas Shehu, e vlerësoi si më trimin e të gjithëve, pasi luftoi me herroizëm, ku bllokoi gjermanët në Shakllë të Zezë, ku pësuan shumë dëme në njerëz dhe materiale. Nga beteja në betejë, Dajlani tregoi që ishte shumë trim dhe i dhanë në besim, një mitralozë të rëndë, të markës “Breda”, gjithashtu dhe një skuadër. Me vete kishte edhe dy djemtë e motrës së madhe, të cilët ishin shumë më të vegjël në moshë. Njëri nga niprit quhej Lame Koçi, e tjetri Kasëm Koçi. Për trimërinë e paparë, ishte i njohur nga të gjithë komandantët e luftës dhe sidomos nga komandanti i Brigadës së VI-të Sulmuese, Jaho Gjoliku, ku ishte inkuadruar dhe Djalan Karafili. Mbas çlirimit të Shqipërisë, Djalani shkoi të luftojë jashtë kufijve të Shqipërisë, si luftëtar i kësaj brigade dhe e kreu me nder.

Për trimërinë e tij, është dekoruar shumë herë nga Kuvendi Popullorë i Shqipërisë së kohës, për meritat e jashtëzakonshme në mbrotjen e atdheut.

Pas çlirimit, ka studiuar dhe mbaruar shkollën për oficer artilerie dhe ka kryer shërbime në Gjirokastër.

Rreth vitit 1951-ë, krijoi familje me Sulltanën, vajzën e Arap Cakos nga Progonati, ku nga kjo martesë erdhën në jetë edhe pesë fëmijëve, emrat e të cilëve janë: Liri, Asile, Xhezo, Petrit dhe Shaqo, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, për zhvillimin në fusha të ndryshme të qytetit të Memaliajt.

Përgjatë shërbimit si oficer, kërkoi të lirohej dhe mbasi iu dha kjo mundësi, shkoi të punojë në Minierën e Qymyrgurit të Memaliajt, ku dhe aty pësoi një aksident me thyerje të rëndë të këmbës, e cila i krijoi vështirësi gjatë gjithë jetës së tij. Nga kjo arsye, u largua nga punët që bënte në fronte të ndryshme të minierës dhe kaloi si magazinier po në këtë minierë.

Në Memaliaj, janë vendosur me familje që në hapat e para të themelimit të këtij qyteti, ku u bë edhe vendlindja e fëmijëve të tyre. Bashkëshortja e tij, Sulltana Karafili, ka punuar një jetë të tërë si edukatore në çerdhen e fëmijëve, me një përkushtim dhe dashuri të madhe, për t’u kujdesur, rritur të shëndetshëm dhe edukuar fëmijët e minatorëve, prindër këta të guximshëm që përshëndeteshin çdo ditë, me diellin dhe hënën e tokës dhe nëntokës. Të gjithë brezat memaliotë që ajo u kujdes, i flisnin nënë Sulltana.

Edhe pse shumë më i vogël në moshë, kam patur fatin ta takoj, të bisedoj dhe ta dëgjojë. Këtë mundësi na i kanë dhënë pritjet nëpër radhët e gjata për të blerë ushqime të ndryshme në atë kohë, ku ishin edhe bashkëqytetarë të tjerë. Një nga herët më kujtohet, kur kishim zënë radhën tek klubi i qytetit, për të blerë racion e arrave, që do të përdoreshin për të përgatitur bakllavan e vitit të ri. Duhet ta gdhinim gjithë natën. Aty, rreth shtatores së minatorit, përveç xha Dajlanit, ishin edhe pensionista të tjerë si xha Kosta Paço, xha Koço Thomai, …etj. Xha Dajlani pinte duhan dhe me një zë të qetë, por burrëror. Bisedonin për kujtimet e punëve në minierë dhe ato të luftës, por shumë pak nga kjo e fundit. Të gjithë prisnim me padurim të zbradhej, pasi ishte një nga netët e fundit dhe të ftohta të dhjetorit. Xha Dajlanin, e parafytyroja shpesh, pasi në çdo festë të qytetit, atë të dëshmorëve dhe të çlirimit të vendit, e shikoja me shallin e veteranit dhe xhaketën me dekorata, duke qëndruar krahë veteranëve të tjerë. Atë natë, edhe pse kaluam shumë orë, nuk e dëgjova të mburrej për kohën që ai kishte luftuar, por me qetësin, mençurinë, thjeshtësinë dhe tonin e zërit të tij, të linte të kuptoje, se ishte një burrë fisnik dhe sypatrembur!

Për të përshkruar më shumë historinë e veteranit të luftës, Dajlan Karafilit, duhet shumë kohë, dhe këtë gjë e thoshnin, partizanët e Brigadës së VI-të Sulmuese, të cilët e vlerësonin për trimërinë e tij në luftë, të cilat janë shkruajtur edhe në disa botime me kujtime nga veteranë të kësaj brigade.

Heroizmi i veteranit, Dajlan Karafili dhe i gjithë brezi i veteranëve të LANÇ-re, ngelen një frymëzim i veçantë për të gjithë brezat, të cilët do t’i nderojnë me madhështi, në çdo kohë!

Lavdi veprës së veteranit të luftës dhe të punës, Dajlan Karafilit, i cili luftoi dhe punoi me shpirtin e vetëmohimit, për të mbrojtur atdheun dhe ta bëjë të begatë!

Edmond Ismalati