Extra Në “pikiatë” edhe Hollwood, arkëtimet nuk vlejnë as të deklarohen

Në “pikiatë” edhe Hollwood, arkëtimet nuk vlejnë as të deklarohen

Javën e kaluar, shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës Veriore ka arkëtuar shumën më të vogël në 20 vitet e fundit. Ata kanë mbledhur vetëm 55 milionë dollarë nga e premtja deri të dielën. Pikërisht kjo situatë ka sjellë një tjetër vendim për dy nga kompanitë më të mëdha të industrisë së filmit në botë.

“Walt Disney” dhe “Universal Pictures” kanë njoftuar të premten se do të ndalojnë publikimin për të dhënat e arkave filmike për shkak të mbylljes në kinemave në shumë vende të botës. E gjitha kjo për shkak të koronavirusit.

“Për shkak të mbylljes së një numri të madh të kinemave, studioja ‘Disney’, përkohësisht do t’i ndalojë raportimet globale të arkëtimeve javore. Juve dhe familjeve tuaja iu urojmë shëndet dhe ju lutemi kujdesuni për veten,” thuhej në deklaratën për media të lëshuar nga “Disney”.

Thuajse të njëjtën deklaratë ka bërë edhe “Universal Pictures”, duke shtuar se kjo është periudha më e keqe financiare që po kalon bota e kinematografisë në këto 20 vitet e fundit.