Bota Në rrezik letrat e famshme presidenciale, nga “gjelat” e Reagan te profecia...

Në rrezik letrat e famshme presidenciale, nga “gjelat” e Reagan te profecia e Barack Obamës

Gjithçka nisi në vitin 1989. Teksa përgatitej të largohej nga Shtëpia e Bardhë në janar, presidenti Ronald Reagan, i la një letër pasuesit të tij, George H.W. Bush, në të cilën shkruante një mesazh informal duke përdorur një karikaturë të humoristes Sandra Boynton.

Në të shkruan “Mos lejo kurrë që të rrëzojnë gjelat”, shprehje që ilustrohej me një imazh, në të cilin shikohen disa gjela teksa sulmojnë një elefant, simbolin e partisë republikane. “I dashur George, do kesh momente kurdo të duash ta përdorësh këtë letër për të shkruar. Kur të vijë rasti, bëje”, lexohet në mesazh.

Kështu, me shaka, lindi kjo traditë e presidentëve amerikanë në largim, që në Zyrën Ovale, lënë një shënim për pasuesit. Kjo është bërë objekt studimi për politologët. Kjo traditë 32-vjeçare, tashmë është në rrezik.

Presidenti, Donald Trump, refuzon të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Joe Biden. Vështirë të mendohet se republikani do të largohet nga Shtëpia e Bardhë duke lënë një mesazh për pasuesin e tij. Kjo metodë përdorej zakonisht për të ulur tensionet mes palëve dhe kalimin e pushtetit.

Pas Reagan, edhe Bush i madh e ndoqi këtë praktikë duke i lënë demokratit Bill Clinton këtë mesazh: “Nuk jam i zoti të jap këshilla, por mos lejo kritikët që të shkurajojnë apo të nxjerrin nga rruga. Suksesi yt tani është dhe i të gjithë vendit tonë. Bëj tifo për ty. Paç fat”.

Fjalë të cilat e kanë prekur mjaft zonjën e parë të atëhershme, Hillary Clinton, e cila ka pranuar se ka qarë. Tradita u vazhdua edhe nga Bill Clinton, i cili George Bush të riut i shkruante se “tani duhej të mbante mbi supe një peshë shumë të madhe”.

Tetë vite më vonë në letrën e tij ndaj presidentit Barack Obama, republikani e paralajmëronte se “kritikët do ta zemëronin dhe se miqtë do ta zhgënjenin”. Në letrën e tij ndaj Donald Trump në 2017, Obama e paralajmëronte pasuesin surprizë me fjalë që në atë kohë dukeshin si profeci. “Jemi vetëm zotërues të përkohshëm të kësaj zyre”, shkruante demokrati duke e këshilluar të ruante traditat demokratike, ndarjen e pushtetit dhe mbrojtjen e lirive civile.