Aktualitet Në Shqipëri, 2700 gazetarë. Pjesa dërrmuese punojnë në informalitet

Në Shqipëri, 2700 gazetarë. Pjesa dërrmuese punojnë në informalitet

3 Maji, Dita Botërore e Shtypit është një moment reflektimi mbi profesionin e gazetarëve, atyre që çdo ditë duhet të luftojnë për të thënë të vërtetën. Prej vitit 1991, Shqipëria hyri në rrugën e shtypit të lirë, por sot pas gati 30 vitesh shtrohet pyetja: a ka liri shtypi në vendin tonë? Dritëhijet janë të mëdha.

Shifra zyrtare mbi numrin e gazetarëve në vendin tonë nuk është e qartë, pasi në regjistrat e tatimeve figurojnë si gazetarë edhe punonjës të medias që ushtrojnë profesione të tjera, por të dhënat e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë flasin për rreth 2700 gazetarë, gati dy të tretat janë në median tradicionale, televizone apo shtyp i shkruar, pjesa tjetër në rreth 800 portalet e hapura vitet e fundit.

I gjithë ky numër gazetarësh do të mjaftonte që publiku të ishte i informuar drejt dhe në mënyrë të paanshme, por në të vërtetë Shqipëria renditet në vendet me liri shypi të pjesshme nga raporti i organizatës “Reporterët pa kufij”.

Në themel të kësaj gjendjeje është situata financiare e medias në Shqipëri dhe lidhja e saj me pushtetin politik. Televizone dhe shtyp në vështirësi ekonomike, gazetarë që në pjesën më të madhe punojnë pa kontrata, të keqpaguar dhe të pasiguruar, kjo krijon një trysni të madhe për ushtrimin e profesionit, i cili ndryshe nga të gjithë zanatet e tjera ka në thelb lirinë.

Në Shqipëri gazetarët që punojnë nëpër portale janë pothuajse në ilegalitet të plotë, të pasiguruar. Por, situata nuk është më e mirë as në televizione. Në fakt, në pak media gazetarët marrin pagat e plota të deklaruara në shtet, sepse kolegët tanë në mediat e tjera punojnë ende me dy bordero, apo nuk paguhen disa muaj rresht. Pagat në media kapin ekstreme të mëdha mes disa figurave qendrore të programeve të ndryshme dhe shumicës së punëtorëve të medias që dalin në terren në kërkim të lajmit.

Sigurisht që paraja, kontratat dhe pagat e gazetarëve nuk do të zgjidhin problemet e mëdha që ka media në Shqipëri, por do t’i jepnin këtij profesioni dinjitetin e duhur në luftën e përditshme për të thënë të vërtetën, në fund të fundit për të treguar mbi jetën e njerëzve në Shqipëri.