Ekonomi Në Shqipëri (dhe kudo), të pasurit po bëhen më të pasur dhe...

Në Shqipëri (dhe kudo), të pasurit po bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër

Shqiptarët mendojnë se shtresa e varfër nuk po del nga gjendja e saj dhe nuk shohin ndonjë dritë jeshile në fund të tunelit.

85 % e shqiptarëve gjykojnë se hendeku mes të varfërve dhe të pasurve në vend është rritur më tej gjatë 2018-ës krahasuar me një vit më parë.

Ky është rezultati i një ankete të zhvilluar në të gjitha vendet e rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Por rezultati është i ngjashëm në të gjitha vendet e rajonit, ku të anketuarit janë përgjigjur se pabarazia ka vijuar të rritet.

Niveli i perceptimit të pabarazisë nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut ka qenë i ngjashëm me qytetarët e vendit tonë, 85%, të cilët janë përgjigjur se pabarazia mes të varfërve dhe të pasurve është rritur vitin e kaluar krahasimisht me atë precedent.

83% e qytetarëve serb kanë pohuar gjithashtu se pabarazia ka vijuar të rritet në 2018. Serbia ndiqet nga Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, qytetarët e të cilave janë përgjigjur në masën 78% se pabarazia është rritur vitin 2018.

Niveli i perceptimit të qytetarëve kosovarë për pabarazinë mes të varfërve dhe të pasurve gjatë 2018-ës është më i ulti në rajon 67%.

Sipas indeksit që mat barazinë, Shqipëria renditej e para gjatë 2017-ës për perceptimin në nivel më të lartë të pabarazisë e ndjekur nga Serbia, Bullgaria e Spanja.

Indeksi global e mat pabarazinë me hendekun që krijohet ndër vite ndërmjet 20 përqindëshit me të ardhura të larta të popullsisë me 20 përqindëshin me të ardhura të ulëta. Sipas raportit të indeksit vërehet se hapësira mes të pasurve dhe të varfërve po tregon trend zgjerimi.

Mënyra se si të ardhurat dhe pasuria shpërndahen në shoqëri përcaktojnë shkallën në të cilën individët kanë qasje të barabartë në mallrat dhe shërbimet e prodhuara brenda një ekonomie kombëtare.

Banka Botërore në raportin e saj më të fundit ka vërejtur se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit edhe në tre vitet e ardhshme, edhe pse varfëria relative pritet të vijë në rënie.