Aktualitet Në vijën e parë kundër Covid-19 në spitalin e Breshias, mjekja shqiptare...

Në vijën e parë kundër Covid-19 në spitalin e Breshias, mjekja shqiptare tregon pse pranoi të ndihmonte Italinë

Pavarësisht se edhe vetë është prekur nga pandemia globale COVID-19, Shqipëria pak ditë më parë dërgoi një grup mjekësh dhe infermierësh për t’i ardhur në ndihmë shtetit fqinj të Italisë. Ky veprim solidar u shoqërua me jehonë të madhe, ndërsa mjekët shqiptarë morën duartrokitje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Italinë fqinje që është goditur tepër rëndë nga ky virus.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka shpërndarë një postim në llogarinë e saj në “Facebook”, ku citon një shprehje të mjekes Ornela Gelaj, e cila së bashku me bashkëkombësit e saj vijon punën në krah të kolegëve italianë në spitalin e Breshias kundër COVID-19.

Mjekja shqiptare, e cila përmendet nga Manastirliu tregon gjendjen në spitalin e Breshias dhe arsyen e fortë se pse pranoi t’i dilte në ndihmë shtetit të Italisë.

“Unë besoj se jeta do të triumfojë, ndaj pranova menjëherë t’i bashkohem ekipit të mjekëve italianë në vijën e parë të përballjes me #COVID19. Pavarësisht vështirësive, këtu mbizotëron fryma pozitive se do t’ia dalim për ta përballuar këtë situatë” – Dr. Ornela Gelaj është pjesë e ekipit shqiptar që sot luftojnë në vijën e parë të luftës në spitalin civil të Breshias në #Itali!”, thuhet në postimin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.