Kryesore Negociatat, Basha: Dështim i Edi Ramës, të hapë krahun

Negociatat, Basha: Dështim i Edi Ramës, të hapë krahun

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Rama këtë të enjte se po kërkon t’i ikë përgjegjësisë për një dështim të mundshëm në hapjen e negociatave me BE-në, duke i fajësuar të gjithë, përfshirë BE-në, por përveç vetes së tij.

“E vërteta është se përgjegjësinë për dështimin për herë të katërt për hapjen e negociatave me BE-në e ka Edi Rama dhe askush tjetër. Është dështimi i tij personal, nuk është dështimi i Shqipërisë, nuk është dështimi i shqiptarëve. Ky dështim ka vetëm vulën e tij përsipër. Premtoi se do të hapte negociatat dhe dështoi si ka dështuar me çdo premtim tjetër.”

Basha tha se Rama, jo thjesht po mundohet të heqë fajin, por po fakton para shqiptarëve dhe të gjithë faktorit ndërkombëtar se nuk e do integrimin evropian.

“Të hapë krahun dhe të lejojë një vizion të ri, rrugë të re, me mundësi për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’iu shërbyer qytetarëve. Nuk e meritojnë shqiptarët të mbeten pas Maqedonisë, Serbia ka hapur negociatat, Mali i Zi ka hapur negociatat, tani do t’i hapë edhe Maqedonia, ne nuk e meritojmë të mbetemi prapa.”

Në daljen për media, Basha po ashtu iu përgjigj Ramës, sipas të cilit ai mund ta bëjë reformën zgjedhore me opozitën parlamentare, pa atë jo parlamentare.

“Si do ta bëjë ai reformën zgjedhore pa opozitën, e ke në kushtet e Bundestagut, merreni dhe lexojeni. Keni edhe përkthimin zyrtar, kortezi e autoriteteve dhe institucioneve gjermane….Me kë do e bëjë, me Tom Doshin, me Vangjush Dakon, me Avdylajt, me Jurges Çyrbjen, me kë do e bëjë? Që kriminelët të vazhdojnë të jenë në parlament e të vazhdojnë të grabisin pasuritë e shqiptarëve?”