Kryesore Negociatat/ Javën e ardhshme pritet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Negociatat/ Javën e ardhshme pritet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare e Bashkimit Europian me Shqipërinë, që ka të bëjë me çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim.

Në fjalën e tij në Parlament, Balla tha se këtë lajm ia dhanë kolegë nga Parlamenti Europian por dhe nga Parlamentet e vendeve anëtare.

“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt”, tha Balla.

Më herët, kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje liderëve shqiptarë dhe maqedonas në Maqedoninë e Veriut, që të pranojnë propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se pranimi i këtij propozimi hap rrugën për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.