Kryesore Negociatat/ KMSH: BE s’na i ka mbyllur dyert pse mbrojmë familjen

Negociatat/ KMSH: BE s’na i ka mbyllur dyert pse mbrojmë familjen

Pas reagimit të Kishës Katolike, në lidhje me letrën e ministreve të qeverisë dërguar Holandës reagoi edhe Myftiu i Tiranës, njëkohësisht nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Lauren Luli. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjet, për t’u integruar në Europë.

“Profeti Muhamed a.s në Hutben e Lamtumirës na le amanet familjen: “Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e perso­nalitetit dhe të dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Zotit”.

Të dashur vëllezër dhe motra, qytetarë të thjeshtë dhe ata me përgjegjësi publike, rruga e Shqipërisë është Europa, nuk ka asnjë diskutim dhe mëdyshje për këtë! Vonesat drejt kësaj rruge nuk janë përgjegjësi e popullit, por e atyre që kanë marrë përgjegjësi publike për të çuar në destinacion këtë mision. Europa është qytetërimi i vlerave, shtetit të së drejtës dhe lirisë!

Europa nuk ia ka mbyllur derën vendit tonë për shkak të familjes apo vlerave që derivojnë prej saj. Kërkesat e Europës janë publike, secili prej nesh e ka të qartë se cilat janë ato.

Njerëzit me përgjegjësi publike duhet të jenë shumë të kujdesshëm në komunikimin e tyre me Europën dhe shtete të veçanta të saj. Numri i aborteve në Shqipëri, vetëm gjatë vitit 2018, ishte mbi 5-mijë. Ky është një krim! Inkurajimi dhe promovimi i të tilla fenomeneve bie ndesh jo vetëm me parimet hyjnore, por edhe me parimet shoqërore dhe traditën shqiptare.

Shqipërisë nuk i duhet të shkatërrojë qelizën bazë të shoqërisë, familjen, për t’u integruar në Europë. Shqipërisë i duhet të luftoje me padrejtësinë, korrupsionin dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës”, thotë Luli.

Më herët, Arqipeshkvi i Metropolisë të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo reagoi kundër letrës që tetë gra ministre të qeverisë i drejtuan qeverisë së Holandës për çeljen e negociatave. Në tekstin e publikuar në faqen zyrtare të Arqipeshkvisë lexohet edhe indinjata e fortë e imzot Georgo Frendo i cili u drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësueseve të qeverisë.

Një ditë më parë, përmes një letre 8 përfaqësuesit femra në kabinetin e Edi Ramës  i kërkuan parlamentit dhe qeverisë së Holandës që të mos bllokojë negociatat për Shqipërinë.