Kryesore Negociatat me BE-në, Rama: Nuk jam optimist me atë që po ndodh...

Negociatat me BE-në, Rama: Nuk jam optimist me atë që po ndodh sot në Europë

“A jam optimist? Jo”, ka thënë kryeministri Edi Rama për “The Irish Times”.

Rama gjithashtu në intervistën e dhënë për këtë media tha se nuk ishte shumë optimist për zhvillime pozitive duke parë atë që po ndodh në Europë.

“Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Evropë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme. Ne pastruam aq shumë sa gjykata kushtetuese është fshirë praktikisht. Dhe tani ata (BE) thonë: “Mirë, ju pastruat por nuk keni gjykatë kushtetuese. Ne nuk po kërkojmë të jemi anëtar i BE javën tjetër. Ne e dimë që nuk mund ta bëjmë këtë pa një gjykatë kushtetuese. Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit… e cila mund të vazhdojë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni në 10 vjet“, deklaroi kryeministri.

I pyetur se si i komenton akuzat se, ai dhe aleatët e tij akuzohen për presion ndaj mediave kritike, për kufizimin e qasjes në dhënien e informacionit me kanalin e tij në internet ERTV – Edi Rama TV si një nga dritaret kryesore të veprimtarisë së qeverisë, Rama u shpreh se donte vetëm që njerëzit të dinë se të gjithë këto akuza janë të pabaza.

“Ka të bëjë me akuzat shumë të rënda: vjedhje miliardash, të kesh miliarda, të bashkëpunosh me forca të errëta – sende konkrete, jo opinione. Mund të jetoj me opinione… Unë thjesht dua që njerëzit të dinë se të gjitha këto gjëra janë të pabaza”

Ndërsa për reformat e kërkuara nga BE, Rama thotë se nuk pendohet dhe se kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë.

“Nuk pendohem për asgjë, sepse kjo është mirë për ne. Kjo është ajo që ne kemi nevojë për vendin tonë dhe brezat tanë të ardhshëm… Në 10 vjet do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon krejtësisht ndryshe. Unë jam shumë i sigurt për këtë”, u shpreh ai.

The Irish Times i ka kushtuar vëmendje edhe liderit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. I pyetur për situatën aktuale në vend Basha u shpreh se Shqipëria mund të jetë vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë kushtetuese.

“Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë supreme, pa një gjykatë kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një Kryeministër që vendos me dekret pa ndonjë kufi institucional të pushtetit të tij, si rezultat kemi një gjyqësor të paralizuar. . . dhe asnjë politikan apo figurë e krimit të organizuar nuk është përballur me drejtësinë. Përkundrazi, një numër i çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit janë anashkaluar nën ndikimin e qeverisë, duke siguruar pandëshkueshmëri për të akuzuarit“, tha Basha për “The Irish Times”.