Kryesore Negociatat, Merkel do të bindë Macron të heqë veton kundër Shqipërisë

Negociatat, Merkel do të bindë Macron të heqë veton kundër Shqipërisë

Agjencia e lajmeve gjermane “DPA” në një shkrim publikuar online shkruan se Kancelarja gjermane Angela Merkel do të përpiqet të bindë Presidentin e Francës Macron të heqë dorë nga vetoja e tij për Maqedoninë dhe Shqipërinë në lidhje me procesin e tyre të anëtarësimit në BE.

Agjensia gjermane e lajmeve DPA raporton gjithashtu se “Franca synon të bllokojë hapjen e bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë dhe Shqipërinë në tetor”.

Kjo u raportua gjithashtu nga Reuters dje, dhe “ndoshta do të shfaqet si një çështje diskutimi gjatë një takimi të planifikuar midis Merkel dhe Macron të dielën, përpara mbledhjes së Këshillit Evropian javën e ardhshme”, shkruan DPA.

Agjencia gjermane citon gjithashtu një diplomat evropian të cilin nuk e identifikon në Bruksel i cili thotë se shpreson që Parisi të rikonsiderojë vendimin e tij dhe nuk do të mbetet e vetmja që mendoj kështu për këtë çështje.

“Gjermania miratoi hapjen e bisedimeve të pranimit me të dy vendet në tetor, ndërsa Hollanda dhe Danimarka janë dakord vetëm për Maqedoninë që të fillojë bisedimet.

Vendet e tjera shihen si kryesisht pozitive për Maqedoninë dhe Shqipërinë, me një vërejtje që Greqia dhe Bullgaria nuk duan të shohin që të dy shtetet të ndahen në këtë proces”, shkruan më tej DPA.

Sakaq, në një shkrim botuar të shtunën e kaluar Reuters raportonte se “nëse ministrat e BE nuk arrijnë të bien dakord përsëri, çështja mund të diskutohet në samitin e liderëve kombëtar me 17-18 Tetor në Bruksel”.

“Atëherë do të ishte në dorën e Merkel të bindte Makronin, nëse është e mundur”, tha një diplomat i lartë për Reutres.