Kryesore Negociatat, Presidentja e KE: Nëse i mbyllim derën Shqipërisë, dëmtojmë veten tonë

Negociatat, Presidentja e KE: Nëse i mbyllim derën Shqipërisë, dëmtojmë veten tonë

Vetëm brenda pak ditëve pasi u zgjodh Presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur disa herë qëndrimin pro çeljes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Në një intervistë për “Der Spiegel”, Von Der Leyen i ka lëshuar një mesazh të drejtpërdrejtë Këshillit Europian, për dhënien e dritës jeshile për Tiranën dhe Shkupin.

“Ne duhet të hapim negociatat e pranimit me këto dy vende sapo Këshilli Europian të arrijë në përfundimin se kriteret janë përmbushur. Ne duhet të shtrijmë dorën ndaj këtyre vendeve, kemi të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, jemi fqinjë dhe nëse e mbyllim derën për këtë Rajon dëmtojmë veten tonë”, tha Ursula von der Leyen.

Pas rekomandimit pozitiv pa kushte të Komisionit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Këshilli Europian shtyu për në muajin Tetor vendimin për hapjen e negociatave.