Politika Negociatat/ Rama: Shqipëria dhe Maqedonia kanë këtë ndryshim

Negociatat/ Rama: Shqipëria dhe Maqedonia kanë këtë ndryshim

Kryeministri Edi Rama komentoi nga foltorja e Kuvendit diskutimet e një nate më parë në Parlamentin e Holandës, duke thënë se pavarësisht pakënaqësive të shprehura, vendimi do të merret “në bllok” si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut.

Ata që mendojnë se ndarja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në diskutime, do të çojë në një ndarje edhe në vendimin e përgjithshëm, jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar”, tha Rama.

Rama tha se mes Shqipërisë dhe Maqedonisë kishte vetëm një ndryshim, sjellja e opozitave në të dy shtetet që kërkojnë nisjen e bisedimeve për anëtarësim. “Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, opozita që braktisi parlamentin, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet vetëm për të minuar çeljen e negociatave”, tha Rama. “Maqedonia e Veriut është një vend ku konflikti politik, për arsye krejt të ndryshme, ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që nuk është këtu, e cila në mënyrë naive ka besuar se duke kopjuar opozitën e deridjeshme të Maqedonisë së Veriut, do të arrinte të bllokonte procesin”.

“Italia, gati të votojë që sot jo negociatat, por anëtarësimin”

Rama e quajti Bashkimin Europian një “familje interesash”. “Kjo është gjëja më normale. Ne duam të bëhemi pjesë e një familjeje të madhe interesash. Jemi në një stad ku gjithçka shihet si një çështje interesash. Kur të çelen negociatat, ne do të ulemi në tavolinë me këtë familje. Është e rëndësishme t’ua themi këtë njerëzve”, tha Rama.

“Kjo nuk do të thotë që Europa nuk na do ne, është thjesht çështje e rënies dakord për qasjen për shpejtësinë. Ka vend si Italia që është gati të votojë sot, jo për negociata, por për anëtarësimin. Ka edhe vende të tjera që jo vetëm nuk janë gati, por kërkojnë një tjetër qasje dhe tjetër shpejtësi. Por ne në këtë proces nuk humbasim asgjë. Ne në këtë proces ka rëndësi të çojmë përpara të gjithë punën që na bën një vend evropian funksional”.