Kulturë Neil Young padit stafin e fushatës së Trump: Muzika ime, jo për...

Neil Young padit stafin e fushatës së Trump: Muzika ime, jo për injorantë!

Muzikanti legjendar amerikan rock Neil Young ka hedhur në gjyq stafin e fushatës së Donald Trump për përdorim të paautorizuar të këngëve të tij në fushatën presidenciale dhe shkelje të të drejtave të tij.

Në një proces gjyqësor të paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Manhattan, Young deklaroi se këngët e tij origjinale “Rocking in the Free World” dhe “Devil’s Sidewalk” u luajtën vazhdimisht në mitingje politike pa miratimin e tij, së fundmi në një tubim partie në Tulsa, Oklahoma.

Neil Young tha se “nuk mund, me asnjë shpirt ose ndërgjegje, të lejojë që muzika e tij të shërbejë si shtyllë kurrizore në një fushatë anti-amerikane të injorancës dhe urrejtjes, të prirur për konflikt”, thuhet në padi.

Kjo nuk është hera e parë që fituesi dy herë i Grammy ka ngritur zërin e tij kundër përdorimit të këngëve të tij për qëllimet e fushatës së Trump.

Rolling Stones gjithashtu kërcënoi të padisë

Në fillim të korrikut, për shkak të respektit për Sioux, ai u ankua se kënga e tij u lëshua përpara mitingut të Trump në Mount Rushmore.

Juristët për këngëtarin 74-vjeçar po kërkojnë dëmshpërblim prej 150,000 dollarësh për çdo shkelje të së drejtës së autorit dhe po kërkojnë që këngët e Young të ndalen së përdoruri.

Young, i cili lindi në Toronto, tha në shkurt se Trump ishte një “turp” për Shtetet e Bashkuara, kujton AFP.

Disa yje të muzikës, përfshirë Pharrell Williams, Rihanna, Aerosmith dhe Adele, si dhe trashëgimtarët e Prince, janë ankuar sepse këngët e tyre u përdorën në mitingjet e Trump.

The Rolling Stones kërcënuan ta padisin atë në qershor nëse ai vazhdonte të interpretonte këngën e tyre.