Aktualitet Nëna i vdiq dhe i ati e braktisi, historia e 17-vjeçares që...

Nëna i vdiq dhe i ati e braktisi, historia e 17-vjeçares që u vra në Laprakë

Tirana u trondit mbrëmjen e djeshme nga një krim i rëndë që ndodhi në zonën e Laprakës, ku makina me të cilën udhëtonin një 17-vjeçare dhe i dashuri i saj 23-vjeçar, u godit me breshëri plumbash dhe në atentat mbeti e vdekur vajza adoleshente.

Briselda Gjikola kishte vetëm pak kohë që kishte krijuar një lidhje dashurie me Erion Bengën, i cili mori plumb në shpatull dhe qafë nga atentatori dhe mendohet të ketë qenë objektivi i sulmit me armë, për shkak të së shkuarës së tij të errët në botën e krimit.

Por kush është 17-vjeçarja që u vra mbrëmë në Laprakë?

Mësohet se Briselda Gjikola studionte në gjimnazin “Aleks Buda” në kryeqytet, në vitin e dytë. Ndryshe nga moshataret e saj ajo ka pasur një jetë plot me sfida dhe fatkeqësi, siç është edhe ajo e mbrëmshmja ku mbylli përfundimisht sytë.

Sipas Balkanweb, Briselda ishte vetëm 14 vjeç kur humbi nënën e saj, e cila ndërroi jetë. Pas kësaj shuplake jeta e goditi edhe më fort kur i ati u martua sërish dhe u largua drejt Italisë për një jetë të re, duke e braktisur atë së bashku me vëllain e saj binjak dhe me motrën më të vogël.

Briselda u dashurua me  Erion Bengën, i cili kishte rekorde të mëparshme kriminale, teksa dy vite më parë ishte arrestuar pasi kishte shantazhuar një vajzë afërsisht në moshën e adoleshentes që kishte aktualisht në krah, me një video intime.

Ndërkohë mesazhi i vëllait binjak të 17-vjeçares në rrjetet sociale është më prekësi që mund të kishim lexuar, pasi sipas tij ka humbur gjithë botën.

Teksa ka postuar foton e tij bashkë me motrën, ai shkruan se  Brisilda ishte gjithçka për të ndaj pas gjithë humbjeve në jetë, nuk e kishte pritur një tjetër humbje kaq të madhe.

“Nuk prisja që të kisha një humbje tjetër aq të thellë. Mendova se do kalonim një jetë plot gëzime dhe tani m’le vetëm disa kujtime që më marrin frymën dalë ngadalë. Ishe botë me vete për mu dhe do mbetesh plagë në zemër përjetë. U prefsh në paqe dashuria ime, motra ime. Të du pafundësisht.R.I.P”, shkruan i vëllai i 17-vjeçares.