Ekonomi Nënshkruhet Memorandumi për Projektin e Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën...

Nënshkruhet Memorandumi për Projektin e Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë

Një memorandum bashkëpunimi për Projektin e Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë është nënshkruar sot nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtoresha e Njësisë së Zhvillimit të Biznesit Ndërkombëtar dhe Drejtore e Operacioneve Financiare të kompanisë italiane SNAM, Alessandra Pasini. Në ceremoninë e nënshkrimit, merrnin pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci dhe Drejtori i ALBGAZ, Arbër Avrami.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në fjalën e saj theksoi se “Zhvillimi i rrjetit të transmetimit të gazit është një nga objektivat strategjike të Qeverisë Shqiptare, në kuadër të të cilit është miratuar dhe Master Plani Kombëtar për gazifikimin e vendit, pjesë e të cilit është dhe projekti i Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë”.

Zhvillimi i këtij projekti është parashikuar të shtrihet në dy faza. Faza e parë konsiston në zhvillimin e një strukture depozitimi, e cila mundëson kapacitetet e ruajtjes së gazit për mbulimin e kërkesës në vend, nëpërmjet krijimit të dy venddepozitimeve me kapacitet 230 milion m3 gaz e me vlerë investimi rreth 78 milion euro. Ndërkohë, faza e dytë zhvillon përfundimisht projektin mes zgjerimit të kapaciteteve depozituese, duke marrë karakter rajonal. Në këtë fazë investimi arrin në 150 milionë euro dhe kapacitetet depozituese arrijnë në 800 milion m3 gaz.

Ministrja Balluku shprehu besimin se bashkëpunimi me SNAM do të jetë i frytshëm në funksion të realizimit të këtij projekti: “Jemi besimplotë se ky projekt do të shoqërohet me një shprehje të cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare të industrisë, si dhe garanci për zhvillimin të sigurt të sektorit të gazit në Shqipëri, dhe gjithashtu, do të sanksionojë një tjetër arritje në drejtim të bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm midis strukturave të Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe SNAM, por midis Shqipërisë dhe Italisë, dy partnerë strategjikë të konsoliduar prej kohësh”.

Nga ana e saj Drejtoresha e Njësisë së Zhvillimit të Biznesit Ndërkombëtar dhe Drejtore e Operacioneve Financiare të kompanisë italiane SNAM, Alessandra Pasini tha: “SNAM shpreh dëshirën të ofrojë përvojën dhe eksperiencën e saj për të mbështetur Shqipërinë në fushën e tranzicionit energjetik. Memorandum i nënshkruar sot përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim si dhe konfirmon bashkëpunimin tonë të frytshëm me Albgaz dhe institucionet Shqiptare”.

Memorandumi i nënshkruar sot parashikon shfrytëzimin e hapësirave për bashkëpunim midis Albgaz dhe SNAM për zhvillimin e depozitave nëntokësore të gazit natyror në zonën e Dumresë, projekt i cili do të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike të vendit tonë, por edhe në një plan me të gjerë rajonal.

Projekti i Depozitimit nëntokësor të Gazit Natyror në zonën e Dumresë është pjesë e Projektit Kombëtar 2017/2018 për gazifikimin e vendit, siç është aprovuar në takimin e Komitetit Kombëtar të Investimeve më 30 korrik 2018.

Aktualisht nëpërmjet aktivitetit të asistencës teknike në infrastrukture që financohen nga kuadri i Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF), i cili mbështet zhvillimin ekonomiko-social dhe aderimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet dhënies së asistencës financiare dhe teknike për investimet strategjike, me fonde të EBRD, në prill 2020 ka filluar puna për zbatimin dhe ekzekutimin e projektit ËB20-ALB-ENE-01 Albania, për studimin e fizibilitetit dhe vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social të ruajtjes së Gazit Natyror në tokë në zonën e Dumresë.