Politika Nënshtetësia për sulmuesin e Tiranës, Meta flet “për këlyshë të UDB-së”

Nënshtetësia për sulmuesin e Tiranës, Meta flet “për këlyshë të UDB-së”

Presidenti Ilir Meta komentoi edhe akuzat që i janë bërë në lidhje me dhënien e nënshtetësisë ndaj disa personave rezident në vendin tonë, si sulmuesi i Tiranës, Winful Cobbinah.

Presidenti tha se për rastin në fjalë është përdorur një procedurë e përshpejtuar, të cilën e ka përdorur edhe herë tjetër, si në rastin e ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini. “Kur i intereson qeverisë pranon të kryhet procedura e përshpejtuar. Ish-ministrja e Arsimit, në rast se nuk do të ishin ndjekur, me kërkesë të vetë qeverisë, procedurat e posaçme, nuk do të kishte qenë as zv.ministre, as ministre dhe do t’i duheshin edhe nja dy vjet që të bëhej shtetase e Republikës së Shqipërisë”, tha Meta.

“Të përfaqësosh një ekip kampion apo çdo ekip të Shqipërisë në arenën kombëtare është në interes edhe kombëtar dhe publik dhe besoj kjo është sqaruar shumë qartë edhe nga drejtuesit e klubit dhe federatës të cilët kanë bërë këtë kërkesë urgjente për presidentin  para ndeshjes me Zvicrën. Presidenti ka respektuar ligjin në mënyrën më strikte”, tha Meta.

“Kështu kemi edhe raste të tjera, por nuk dua t’i përmend. Nuk mund t’ua jap dokumentet sepse janë sekret shtetëror, për 10 vite janë të klasifikuara, por gjithçka është bërë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Sa i takon shqetësimit për familjarët e heronjve të UÇK-së, që për arsye të ndryshme kanë marrë nënshtetësinë… Për këlyshët e UDB-së, ata terroristë quhen, por janë anëtarë të familjes së heronjve dhe atdhetarëve”, shtoi presidenti.

Meta prej ditësh është vënë në akuza për shkelje të procedurave për dhënien e shtetësisë së futbollistit dhe qytetarëve të tjerë.