Aktualitet Nënstacioni i në Fushë-Krujë, Balluku: Investimet e integruara sigurojnë shërbim afatgjatë për...

Nënstacioni i në Fushë-Krujë, Balluku: Investimet e integruara sigurojnë shërbim afatgjatë për qytetarët

Me një investim prej 1 miliardë lekësh të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, zona e Fushë-Krujës dhe fshatrat përreth, kanë një furnizim më të mirë me energji elektrike.

Investimi përfshin ngritjen e nënstacionit mobile, ndërtimin e 5 fiderave 20 kv, ndërtimin e 120 kabinave, vendosjen e 2500 shtyllave si dhe shtrimin e 130 kilometra rrjet kabllor abc.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OSHEE, Adrian Çela, inspektuan nga afër nënstacionin e ri.

Administratori Çela bëri të ditur se ky është hapi i parë i këtij investimi që do të pasohet me ndërtimin e nënstacionit permanent si dhe shtimin e tre fiderave të tjerë.

“Hapi i parë ka qenë gjithë shpronësimi i 4 mijë metrave katrorë për të impostuar në fillim nënstacionin mobile që ka filluar nga puna dhe për t’i hapur rrugë investimit tjetër që do të jetë nënstacioni permanent 110/20 ku futen në punë jo vetëm 5 fidrat aktual që janë lidhur me nënstacionin e lëvizshëm, por dhe tre fidera dhe më vonë dy fidra shtesë. Gjithashtu OST-ja është përgjigjur me investimin tjetër duke sjellë linjën 110 pranë këtij nënstacioni. Kjo është faza e parë që do të pasohet me fillimin e punimeve me nënstacionin e ri ku ne jemi në fazën e projektimit dhe brenda vitit do të fillojë nga puna”, deklaroi Çela.

Nga ana e saj, ministria Belinda Balluku e vuri theksin të domosdoshmëria për të ecur me investime të integruara midis operatorëve të ndryshëm, pasi këto lloj investimesh janë më të qëndrueshme dhe efiçente.

“Investimet e integruara siç është në këtë rast, pra një investim i bërë nga OSHEE-ja dhe nga OST-ja, i studiuar mirë strategjikisht, i cili ofron një shërbim afatgjatë për dekadat në vazhdim, janë investimet më të mira sepse janë investime eficente dhe për më tepër në këtë zonë ne kemi arritur që të mbulojmë nevojat e 40 mijë banorëve”, u shpreh ministrja Balluku.

Investimi përmirëson cilësinë e furnizimit me energji elektrike në zonën duke nisur nga Bubqi, Ura e Gjoles, Fushë-Krujë, Tapizë, Nikël, deri në kufi me Krujën. Në të ardhmen pritet të ndërtohen edhe tre fidera të rinj.