Kryesore “Nëse Covid do të kishte dy nivele më lart vdekshmërie, do të...

“Nëse Covid do të kishte dy nivele më lart vdekshmërie, do të kishte zhdukur njerëzimin”

Nga Lorenzo Salvia – Corriere della Sera

Je optimist? “Po, sepse besoj tek shkenca. Dhe tek historia”. Historia? “Njeriu gjithmonë ka përdorur shkencën për të zgjidhur problemet që ka hasur. Kur isha fëmijë, një shok i imi në klasë kishte poliomelitin. Sot polio është zhdukur, sepse kemi vaksinën. Ja, besoj tek shkenca dhe tek historia”.

Imunologu Francesco Le Foche ka shkruajtur edhe një libër për këtë temë. “Po, çdo gjë do të shkojë mirë”, dhe këmbëngul që shpejt do të dalim nga ky makth.

Sa shpejt dhe pse?

Besoj se me ardhjen e verës, nëse do të kemi një përqindje të konsiderueshme të vaksinuarish, do të jemi jashtë, ose pothuajse jashtë rrezikut.

Pak ditë më parë Gino Strada ka thënë se përkundrazi, nuk do t’ia dalim pa dy – tre vite. Nuk beson ai tek shkenca dhe historia?

Jo, mendoj se fliste për situatën në nivel botëror. Dhe padyshim ka të drejtë. Në disa zona të planetit, Afrikë por jo vetëm, vaksinimi do të ecë më ngadalë. Si pasojë virusi do të vazhdojë të qarkullojë në nivel global. Por nëse ne arrijmë të ruajmë personat më të dobët, situata bëhet e kontrollueshme. Pikërisht për këtë duhet të nxitojmë tek vaksina.

Por me tërë këtë nxitim, a nuk po rrezikojmë besimin tek vaksina?

Jo, aspak. Kemi shkurtuar kohët e burokracisë dhe çlirimin e fondeve, duke parë financimet private dhe publike që janë dhënë. Por procesi shkencor nuk është cenuar. Thënë kjo, ta kemi të qartë, unë nuk kam frikë nga no-vax. Kanë lindur në ‘800-ën pasi kishte dalë kura për linë, u rrezikuan nga Napoleoni i cili ua imponoi trupave të tij, pastaj u shtuan prapë. Gjithmonë do të jenë, por mbeten minorancë. Ata që më interesojnë janë dyshuesit, ata që hezitojnë. Për ata duhet një mënyrë komunikimi e përshtatshme, empatike.

Ndoshta më shumë se fjalët vlejnë faktet. Të parëve që do t’u ofrohet do të jenë mjekët dhe infermierët. Sa do e bëjnë sipas teje?

Shpresoj të tërë. Shpresoj që të jenë të ndjeshëm ndaj shkencës, etikës dhe moralit për të zgjedhur vaksinimin si mjet për tek imuniteti i tufës, që jo më kot quhet imunitet mbështetës. Vlera e vaksinës është pikërisht kjo: të mbrojë atë që nuk ia del dot. Një fëmijë që ka një kancer për shembull.

Ju do e bëni, besoj.

Padyshim. Nëse ke zanatin tim nuk mund të mos kesh këtë ndjeshmëri; në fund mjeku punon për të ndihmuar të tjerët, apo jo? Vaksina ka zgjidhur patologjitë më të rënda në botë. Megjithëse sot duket e pamundur, fëmijët vdisnin nga tetanozi, apo nga kolla e mirë. Nëse sot nuk ndodh më është vetëm prej vaksinave. Kështu do të shkojë edhe me CoVid dhe duhet ta kemi të qartë: nëse do të kishte patur dy gradë më shumë vdekshmërie do të kishte zhdukur njerëzimin.

Dhe dje patëm rreth 700 të vdekur. Pse Italia shkoi më keq se të tjera vende?

Shkaqet janë tashmë të njohura dhe të pranuara. Mosha e lartë e popullsisë sonë, sistemi ynë shëndetësor i organizuar rreth spitalit dhe i varfër në territor, numri i ulët i terapive intensive, pak mjek e infermierë.

Tani po flitet për masat e marra për Krishtlindje. Ju jeni për një lockdown apo jo?

Duhet kujdes maksimal. Megjithëse, për ata që do të mbyllen, duhen ndihma korrigjuese të plota dhe të shpejta. Çka nuk ndodhi në fakt, duke nxitur një farë bezdisjeje për rregullat.

Për krishtlindje çfarë do të bëni?

Vetëm, me gruan dhe fëmijët. Gjyshërit në shtëpinë e tyre. Do të festojmë në Skype.