Aktualitet “Nëse nuk do kishe qenë e dehur, askush nuk do të qante...

“Nëse nuk do kishe qenë e dehur, askush nuk do të qante vdekjen e dy djemve shqiptarë”

Mediat lokale italiane kanë shkruar për shoferen e dehur italiane, e cila përplasi për vdekje dy të rinjtë shqiptarë, Ergi Skënderin dhe Xhuljo Kajën, 20 dhe 22 vjeç, orët e para të mëngjesit të së dielës.

Ajo është 30-vjeçarja Irena Vetere, e cila momentin e aksidentit i jepte makinës tip “Renault” e alkoolizuar 5-fish mbi normën e lejuar. Përplasja ishte fatale për dy të rinjtë shqiptarë, të cilët gjetën vdekjen e menjëhershme. Mjeti i Vetere-s përfundoi në fushën anës rrugës, 200 metra larg nga vendi i aksidentit.

Foto nga aksidenti ku humbën jetën Ergi Skënderi dhe Xhuljo Kasa

E reja ndodhet tashmë në spital në gjendje shoku dhe është arrestuar me akuzën e vrasjes së dyfishtë rrugore. Ajo është sipërmarrëse dhe dy vjet më parë kishte qenë pjesë e fushatës në mbështetje të kandidatit Paolo Rizzi për kryebashkiak të Piacenza-s.

Irena Vetere

Në të kaluarën 30-vjeçares i ishte hequr patenta për shkak se i jepte makinës në gjendje të dehur. Vetere ka lindur në Rusi, por është rritur në Itali. Në profilin e saj në Facebook njerëz të ndryshëm kanë shpërthyer me komente negative mbi të.

“Turp. Makthi i atyre djemve mos të dhëntë paqe deri në ditët e fundit të jetës”, shkuan një komentues.

“Nëse nuk do kishe qenë e dehur kjo nuk do të kishte ndodhur! Askush nuk do të qante vdekjen e dy djemve!!! Pini në shtëpitë tuaja dhe mos dilni në mes të rrugës për të prerë në mes jetët e personave të pafajshëm!!! Shpresoj të ndihesh fajtore për gjithë jetën dhe të mendosh çdo ditë se çfarë ke bërë, ti dhe të tjerët që mendoni të pini para se t’i jepni makinës!!! Zoti u dhëntë forcë familjarëve të dy djemve”, shkruan një komentuese tjetër.

Por ka pasur edhe miq që kanë mbrojtur italianen, të cilët thonë se ajo është akoma në spital, e lënduar dhe nën shok për shkak të asaj që ka ndodhur.