Politika “Nesër as ty nuk ta kam besën”, si i përgjigjet Basha fermerit...

“Nesër as ty nuk ta kam besën”, si i përgjigjet Basha fermerit nga Novosela

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Novoselë të Vlorës këtë të mërkurë ku takoi disa fermerë. Basha premtoi subvencione deri në 100 milionë Euro për fermerët ndërkohë që deklaroi se PD-ja është e vetmja forcë që mund ta çojë në Europë Shqipërinë.

“Gjëja e parë që kemi është 100 mln euro subvencione për fermerin. Që Shqipëria duhet të ndryshojë s’ka pikë diskutimi, që të vetmit mund ta çojnë Shqipërinë drejt Europës dhe këta jemi ne nuk ka asnjë pikë dështimi. Mërzinë jua di, dhimbjen jua di. E di ça do të thotë që të hedhësh lekët e xhepit dhe jo të fitosh, por të hysh në borxh. Ju garantoj programin tonë për bujqësinë do ta vëmë në zbatim që ditën e parë. Nuk ju premtoj mrekulli si në Itali dhe Spanjë, por aq sa bën Maqedonia e Veriut për qytetarët e saj, aq do të bëjmë dhe ne”, tha Basha.

Kreu i opozitës bashkëbisedoi edhe me fermerët ku tha se nuk ka premtime, por vetëm angazhime. Sipas Bashës, për shkak të dështimeve të qeverisë, qytetarët nuk kanë më besim tek politika. Por kjo fjali i tërhoqi vëmendjen një fermeri, i cili i tha “S’ta kam besën as ty nesër”, kur kryedemokrati përmendi angazhimet.

Fermeri: Ça na merrni ju përsipër. Vajin e kemi në shtëpi. Tani çfarë na merrni ju përsipër se ne të djathtë jemi. Rrugë s’kemi, ujë, s’kemi. Do na premtoni diçka?

Lulzim Basha: Nga unë premtime s’do dëgjosh se ai bëri 8 vjet premtime. Ka vetëm angazhime. Të vish premtosh në fushatë është gjëja më e thjeshtë. Unë s’kam vetëm premtime, por vepra. Prandaj ju s’keni më besim tek politika. Nga dështimet ju s’keni më besim te politika. Mos kujtoni se nuk e di unë.

Fermeri: Ky është llaf i madh, por s’ta kam besën as ty nesër…

Lulzim Basha: E keni humbur besimin te politika se ka ardhur me premtime. Ka ardhur ka thënë 300 mijë vende punë dhe kanë ikur 400 mijë shqiptarë.