Kryesore New Yorku si Lombardia: 100 të vdekur në vetëm pak orë

New Yorku si Lombardia: 100 të vdekur në vetëm pak orë

New York-u po kthehet në një epiqendër të madhe të koronavirusit në SHBA.

Të dhënat e fundit të bëra publike nga Guvernatori Andrew Cuomo saktësojnë se janë 37 mijë e 257 personat e prekur nga COVID-10 vetëm në këtë shtet. Numri i totalit të infektuarve është rritur me mbi 7 mijë paciente të rinj vetëm në 24 orët e fundit.

Ndërkohë numri i viktimave ka shkuar 385 vetëm në New York, ose rreth 100 të vdekur më shumë vetëm në harkun kohor të pak orëve.

Kryebashkiaku Bill de Blasio parashikon se gjysma e New York-ut do të infektohet nga koronavirusi.

Alarmi për këtë shtet është i madh nga autoritetet shëndetësore amerikane të cilët i tremben një situatë si në Lombardi ku shëndetësia ka shkuar drejt kolapsit.

Ndërkohë në SHBA, në total numri i viktimave i ka kaluar tashmë 1 mijë.

Në SHBA është miratuar plani me 2 trilionë dollarë për të ndihmuar ekonominë e vendit, teksa qendrat industriale, si Nju Jorku e Los Anxhelosi, u kanë kërkuar banorëve që të mos dalin nga shtëpitë teksa shifrat e të infektuarve rriten me shpejtësi të madhe.

SHBA-të priten që shumë shpejt të jenë qendra botërore e pandemisë.

Drejtori i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ngre alarmin se koronavirusi kërcënon të gjithë njerëzimin. Ai thotë se vendet duhet të bashkëpunojnë për ta luftuar virusin edhe në vendet e varfra, ku të infektuarit e të vdekurit mund të shkojnë në miliona, nëse nuk tregohet solidaritet dhe bashkëpunim nga e gjithë bota.

OKB ka nisur një plan me 2 miliardë dollarë për të krijuar një përgjigje humanitare në vendet e varfra, por Guterres bën thirrje se për këtë duhen triliona, ndaj u kërkon vendeve të shfaqin solidaritet.

Për sa i përket ekonomisë, agjencia e vlerësimeve “Moody’s” parashikon recesion për 20 vendet më të industrializuara, ndërkohë që tregjet e bursës vazhdojnë të kenë shifra negative.