Sport Neymar, ndikimi te de Ligt, Champions, Ronaldo flet për të gjitha!

Neymar, ndikimi te de Ligt, Champions, Ronaldo flet për të gjitha!

Cristiano Ronaldo ishte të hënë në Spanjë aty ku mori çmimin e legjendave, të akorduar nga gazeta “Marca”. Natyrisht nuk mund të mungonte një intervistë e tij, ku portugezi u tregua i hapur për gjithçka dhe për çdo çështje.

Ke thënë se do luash deri 40 vjeç… “Nuk shqetësohem fare në këtë aspekt, sepse e di që do të varet shumë nga ajo që unë ndiej, nga motivimi im, sepse fizikisht nuk do të jetë kurrë një problem. Në të 40-at duhet ta trajtosh veten mirë dhe mendoj se nuk do të jetë faktori kryesor. Ka të bëjë më shumë me psikologjinë, kjo do të bëjë diferencën”.

Malli për Marcelo – “Ai është shumë i lumtur në Madrid. Të gjithë e bëjnë atë të ndihet mirë dhe unë ia kam kaluar shuam mirë me të. Flas shpesh me të, me Pepen dhe Coentraon, ia kemi kaluar shumë mirë, në përgjithësi me të gjithë. Marcelo është një djalë shumë energjik dhe më mungon shumë”.

Barcelona – “Si çdo vit po ndërtojnë ekip të madh. Sërish janë shumë të fortë. Janë forcuar shumë me De Jong, Griezmann, ashtu si vitin e shkuar me Coutinho e Dembele. Ata janë gjithmonë një nga ekipet më të fortë në botë. Ashtu si Reali, me Hazard, Jovic, Mendy….Juve po ashtu…. Jam i vetëdijshëm për Madridin sepse kam lënë një trashëgimi këtu, kam lënë miq, është klubi me të cilin kam fituar më shumë dhe jam 100% i sigurt që do të jetë një sezon i shkëlqyeshëm”.

Neymar te Barça? – “Nuk e di, ai është lojtar i shkëlqyeshëm dhe shoqërohem shumë mirë me të. Ne kemi xhiruar bashkë para pak kohësh. Por flitet shumë për të, për Madridin, Barçën, Juven … thjesht puna e shtypit sepse është e nevojshme të shiten gazetat, por unë mendoj që ai do të qëndrojë në Paris dhe nëse jo, të shikojë se ku është i lumtur dhe ku mund të shprehë futbollin i tij, ku nuk ka lëndime, kjo po i ndodh shpesh dhe duhet të shqetësohet. Unë shqetësohem sepse më pëlqen ta shoh atë djalë duke luajtur. Pavarësisht se ku luan, duhet të kujdeset për veten dhe të mos dëmtohet, kjo është ajo që dua për të”.

Ndikimi tek zgjedhja e de Ligt? – “Nuk besoj se kam ndikuar. Pas finales së Nations League bëra një koment si koleg, si futbollist, sepse të gjithë e bëjnë këtë. Është normale sepse është vetëm 19 vjeç dhe gjithçka mbetet në fushë. Unë ia thashë atë si shaka, por kurrë nuk do të ndikoja një trajner apo një drejtues për një blerje. E vërteta është se jam i kënaqur që është me ne”.