Opinione Nga Blendi Fevziu/ Kush i vjedh paratë e Bankave?

Nga Blendi Fevziu/ Kush i vjedh paratë e Bankave?

Vjedhja e shumave të konsiderueshme të eurove që transportohen nga Banka drejt aeroportit, ose nga një pikë bankare ne tjetrën, po kthehet në një mallkim për sigurinë në Shqipëri.

Përtej zhurmës dhe shqetësimit të brendshëm, është kthyer edhe në lajm botëror, duke krijuar imazhin e një vendi pa stabilitet dhe pa minimumin e sigurisë.

Një vend që nuk kontrollon dot 7 km që lidhin aeroportin e vetëm ndërkombëtar me autostradën më të rëndësishme që ka, nuk është vend që mund të merret seriozisht.
Natyrisht, ka shumë raste grabitjesh të tilla në botë, edhe pse në vitet e fundit, si pasojë e masave të njohura janë reduktuar ndjeshëm.

Por përsëritja identike e grabitjeve, me të njëjtën teknikë, pa ndryshuar njëra nga tjetra, në vetëm pak muaj dhe gati gati në të njëjtin vend, dëshmon se nuk kemi të bëjme me një grabitje të zakonshme, por me një dorëzim të vullnetshëm dhe me mirëkuptim të parave; një dorëzim që më pas me siguri shndrohet në ndarje porporcionale të trofesë midis atyre që marrin pjesë në të.

Nuk ka nevojë për shumë fakte që ta kuptosh një gjë të tillë. Që kur ndodhi vjedhja e parë dhe u kuptua që transporti i parave mund të jetë një target i lakmueshëm, masat e marra duhej të ishin drastike dhe ta pengonin ripërsëritjen e të njëjtit akt.

Kur pas vjedhjes së parë ndodhi e dyta, të gjitha bankat, të gjitha shoqëritë mbikqyrëse të tyre, të gjitha shoqëritë e sigurisë e të transportit dhe Ministria e Rendit duhej të kishin vendosur një protokoll që mos ta shkelte askush. Ka ca rregulla që janë përsëritur me dhjetra herë dhe që sipas të dhënave të opinion.al në Kosovë e Maqedoni zbatohen rëndom: Vlerat monetare prej miliona eurosh nuk mund të transportohen pa një mjet të blinduar. Mjet i përgatitur për këtë transport dhe që brenda blindit është i pajisur edhe me një kasafortë me kod.
Kodi i kasafortës nuk disponohet nga punonjësit e transportit, të cilët nën kërcënim mund ta hapin atë.
Në një apo më shumë thasë duhet vendosur një gps i cili mundëson policinë dhe kompaninë e sigurisë të ndjekë apo identifikojë në kohë reale vendndodhjen e autorëve.
Kasaforta e brendshme e blindit pajiset me bojë speciale të kuqe, e cila me momentin e hapjes me forcë ose me shpërthim të kasafortës ngjyros me të kuqe kartmonedhat duke i bërë të papërdorshme. Të gjitha bankat, në cdo cep të globit i njohin paratë e ngjyrosura në këtë mënyrë dhe nuk i pranojnë ato.
E pesta, transporti ndiqet live nga sallat e sigurisë, përmes kamerave të vendosura brenda makinave dhe që transmetojnë në kohë reale imazhet. Kjo është teknologjia më e thjeshtë që sot e përdorin edhe taksitë në botë e jo më makinat që transportojnë miliona euro.
Makinat e transportit janë të pajisura me butona alarmi, të cilët në momentin e rrezikut, mjafton të shtypen nga shoferi ose një prej shoqëruesve dhe japin njoftim në sallën e sigurisë ose në sallën operative të policisë.

Asnjë nga këto masa nuk është zbatuar. Nuk u zbatua në vjedhjen e parë, nuk u zbatua në vjedhjen e dytë, nuk u zbatua në vjedhjen e tretë, nuk u zbatua në vjedhjen e kartërt, nuk u zbatua as në vjedhjen e pestë.

Unë nuk di ndonjë rast në botë, që ndonjë kompani apo individ, që i vjedhin dicka, nuk merr asnjë masë për të eleminuar hallkën e dobët prej nga është mundësuar vjedhja.
Akoma më tepër, shtrirja e këtyre vjedhjeve në thuajse një vit; mos dënimi i asnjë personi të rëndësishëm përgjegjës për humbjen e disa miliona eurove; zëvendësimi i tyre nga kompanitë e sigurimit që janë në perëndim dhe jo në Shqipëri, të bën të besosh se vjedhja konsiderohet një vjedhje ndaj perëndimit dhe kjo e favorizon atë.

Si shpjegohet që në asnjë nga rastet nuk shkrepet asnjë armë nga ata që shoqërojnë vlerat monetare, nga ata që janë punonjës sigurie rrotull si në aeroport dhe shumat dorëzohen në maksimumin e mirëkuptimit?

Së fundmi, zhdukja e hajdutëve në të gjitha rastet, pa lënë asnjë gjurmë e bën po ashtu dyshuese situatën. Si shpjegohet që në këtë trekëndësh, Kashar – Rinas – Nikël, zhduken makina me para dhe hajdutë të armatosur rëndë pa i parë askush dhe pa lënë asnjë gjurmë sikur të ishte trekëndëshi i Bermudës. Zhduken në mes të ditës, në rrugët e mbushura plot por nuk i sheh asnjeri. Zhduken në ato rrugë ku për një parakalim të gabuar ose shpejtësi të shtuar shfaqet direkt policia rrugore, ndërsa në momentet e vjedhjes nuk duket dhe nuk sheh gjë askush!?

Edhe në Far Westin e shekullit të XIX transporti i parave ishte më i sigurtë se sa në periferinë e sotme të Tiranës. Që pas grabitjes së parë, duhej të ishin marrë masa ekstreme dhe jo ta kthenin, pasurinë e bankave, që është në fakt depozitim i qytetarëve, në një mjet pasurimi të hajdutëve, banditëve dhe ndihmësve të tyre me kostume dhe kravata.

Nëse një investigim serioz nuk nis; nëse asnjë person përgjegjës nuk dënohet; nëse mendojmë që këto para i paguajnë kompanitë e sigurimit në Londër e në Vienë dhe për ne nuk përbën problem, atëherë shumë shpejt, do ta shohim Shqipërinë në hartën e Europës me vijë të kuqe, si vendi i vetëm i saj, por mbase edhe i botës, që nuk ruan dot as pasurinë e depozituar të qytetarëve.