Opinione Nga Çapajev Gjokutaj/ Politika: spekulimi dhe kostot

Nga Çapajev Gjokutaj/ Politika: spekulimi dhe kostot

Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Disa komentatorë përpiqen ta analizojnë dhe shpjegojnë krizën e tanishme politike duke e përafruar me vitin 1997. Ky paralelizëm kërcet, ngjan tejet i sforcuar.

Është e vërtetë që edhe atëherë opozita nuk ishte në parlament. Socialistët kishin braktisur zgjedhjet e 1996-ës në mes të ditës së votimit dhe gjendeshin jashtë parlamentit. Ngërçi qe i fortë dhe në horizont nuk dukej ndonjë zgjidhje e afërt.

Kjo krijonte stres, trysni e pasiguri për gjithë jetën e vendit, por nuk ngjan të ketë qenë shkak i kaosit që pasoi. Arsyeja është fare e thjeshtë. Kriza e 97-ës buisi nga poshtë, nga xhepat e njerëzve të thjeshtë që, sa hap e mbyll sytë, kishin humbur paret. Nuk ishin thjesht kursime, por edhe vlera monetare të bëra nga shitja e shtëpive, e tufave të bagëtive dhe e katandive të tjera. Qytetarët nuk ishin vetëm shpresëhumbur, por ndiheshin të traumatizuar dhe në panik ekzistencial.

Parë kështu kriza e 97-ës buiste nga thellësitë e qenies popullore, nga nevoja ekzistenciale dhe nga shtysa e ndjesi që i iknin logjikës dhe prireshin drejt hapësirash iracionale. Këtu do kërkuar mbase edhe një nga arsyet përse gjithë ai pezëm popullor mori trajta kaotike dhe nuk u kthye as në luftë civile dhe as në revolucion, paçka se shumë palë e pretendonin, madje vazhdojnë ta pretendojnë edhe sot e kësaj dite.

Gjithsesi, arsyeja kryesore pse pezmi popullor i vitit ‘97 mori trajta të theksuara kaotike ishte mungesa e shtetit. Në ato pak vite ndryshimesh demokratike ishin kryer një varg reformash, shumica sa për sy e faqe dhe për t’u bërë qejfin partnerëve ndërkombëtarë, ndaj kishin rezultuar në ndërtimin e një shteti telefoni, ngrehinë që ra brenda pak javësh, përfshirë dhe institucionet e rendit dhe të sigurisë si policia, ShIK-u, ushtria etj.

Nuk mund të thuash kurrsesi se mungesa e opozitës në parlament shkaktoi trazirat. Madje është e vështirë të supozosh se, po të qe opozita në parlament, shteti nuk do të kishte rënë dhe trazirat do të kishin qenë më pak kaotike e më të kanalizuara.

Lexuar kështu, kriza e sotme politike nuk mund të përqaset logjikshëm me trazirat e ’97-ës. Kemi të bëjmë me dy dukuri të ndryshme. Nëse e para buroi nga poshtë, kjo e sotmja duket se vjen nga katet e sipërme të politikës. Sondazhi i fundit i IPR Marketing të shtyn ta besosh edhe më fort këtë pandehmë.

2.

Në klimën e përbaltjes dhe delegjitimimit të gjithçkaje, ia kemi arritur të jemi përgjithësisht skeptikë e mosbesues edhe për sondazhet. Megjithatë sondazhet e deritanishme të bëra nga kompania italiane në fjalë kanë rezultuar pranë realitetit, ndaj rezultatet e këtij të fundit mund të merren, më së paku, si argument orientues për të diskutuar natyrën e krizës aktuale.

Në një skicim të shpejtë arkitrarët e kësaj krize janë: opozita ka lenë mandatet, kërkon një qeveri qoftë dhe socialiste, por pa kryeministrin Rama, qeveri që do të përgatiste zgjedhje të parakohshme. Të gjitha këto mbështetur mbi dy supozime: zgjedhjet e vitit 2017 janë vjedhur, kurse pushteti është bërë një me krimin dhe narkotrafikun.

Por një pjesë e rezultateve të sondazhit të shtyjnë të mendosh se kërkesat e opozitës nuk janë edhe kërkesa të shumicës së qytetarëve.

Vërtetë janë braktisur mandatet, por 61.1% e të pyeturve nuk e gjejnë me vend këtë akt ekstrem. Të largohet kryeministri aktual, këmbëngul opozita. Megjithëse në rënie të dukshme, Rama rezulton shumë më i mbështetur, krahasuar me liderët e opozitës. Zgjedhje të parakohshme, thotë opozita, por vetëm 28.9% e të sonduarve e mbështesin një hap të tillë.

Ka edhe diçka tjetër që dëshmon ndryshime të dukshme mes kateve të sipërme të politikës dhe qytetarëve. Në ligjërimin politik dhe atë mediatik, kriza aktuale politike trajtohet si shqetësimi më i madh i vendit. Por po t’i besojmë sondazhit rezulton se vetëm 16.6% e qytetarëve e rendisin krizën politike ndër tri problemet kryesore që duhen zgjidhur urgjentisht.

Më e lehta vërejtje që mund të bëhet është se, të paktën sot për sot, kërkesat kryesore të opozitës kanë mbështetje të vakët nga qytetarët. Por për hir të këtyre kërkesave është ndërmarrë një hap ekstrem si lënia e mandateve, hap me kosto tejet të larta: fut gjithë sistemin politik në krizë, krijon tensione, agresivitet dhe mundësi veprimesh të dhunshme, madje rrezikon të dëmtojë seriozisht edhe vetë opozitën.

Vështirë të thuash nëse para ndërmarrjes së këtij hapi drastik opozita sondoi opinionin për të parë se ç’përkrahje qytetare do të kishte. Jo vetëm opinioni nuk u mat, por munguan edhe diskutimet brenda antarësisë së partive opozitare. Edhe në rang lidershipesh, më shumë sesa diskutime të thelluara me pro dhe kundra, duket se pati një solidarizim formal e konformist me një vendim të gatshëm, marrë nga fare pak persona.

Në parim nuk përjashtohet mundësia që, në rrugë e sipër, aksioni opozitar të bindë më shumë qytetarë dhe të arrijë të sigurojë mbështetje mbarëpopullore. Por kjo mbetet në kufijtë e hamendjeve, në rrafsh real duket që veprimet e opozitës nuk janë mbështetur mbi një njohje të thelluar të asaj që realisht duan dhe presin shumica e qytetarëve.

3.

Afërmendsh që nuk bën të absolutizohen rezultatet e një sondazhi të vetëm, madje as vetë dukuria e matjes së opinionit. Po të qe për sondazhet sot presidente e ShBA-ve do të ishte Hillary Clinton dhe jo Donald Trump, kurse kapitulli i Brexit-it do të qe mbyllur qysh tre vjet të shkuar.

Përtej sondazheve dhe matjes së opinionit publik del një problem tjetër, tejet i mprehtë: në ligjërimin tonë politik mbizotëron një prirje e fortë për të spekuluar.

Mungojnë jo vetëm sondimet periodike të opinionit, por janë fare të rralla e të shfrytëzuara cekët hulumtimet dhe analizat e mirëfillta dhe profesionale për dukuri të ndryshme, të kryera nga ekonomistë, politologë, sociologë etj. Këtë armatë të munguar profesionistësh e kemi zëvendësuar me politikanë foltoresh dhe gjithologë mediash që dalin e flasin, a më saktë përflasin gjithçka e gjithkënd.

Mes kësaj mungese, shumica e aktorëve opinionbërës nuk operojnë aq me fakte sa me opinione që, shpesh e më shpesh marrin trajtë spekulimesh ‘logjike’ dhe kthehen në propagandë.

Spekulimet me ide dhe arsyetime, të bëra në mungesë faktesh, sondazhesh dhe analizash, përditë e më shumë po shfaqen si lëngatë me pasoja jetike për shoqërinë tonë. Në analizë të fundit, këto lloj spekulimesh, duke qenë larg realitetit dhe pranë pëlqimeve vetiake a interesave partiake, mbajnë erë propagandë dhe shtojnë radhët e njerëzve që e shohin me indiferencë e përbuzje, madje jo rrallë edhe me neveri politikën.

Ky reagim tjetërsues të krijon përshtypjen se në fund të fundit harxhet i paguan politika sipas parimit ‘koka bën koka pëson’. Në fakt harxhet i paguan shoqëria që dëmtohet në disa nga përbërësit më jetikë të saj si optimizmi, besimi tek institucionet, kohezioni social, solidariteti etj.