Opinione Nga Dritan Hila/ Çfarë llogariti keq Ilir Meta

Nga Dritan Hila/ Çfarë llogariti keq Ilir Meta

Konferenca e sotme për shtyp e Ilir Metës ishte fundi i një fushate disa javore kundër aleatit të madh dhe ministrit të brendshëm.

Të gjitha zhvillimet politike të fundit nuk kanë qenë shkarje të ministrave dhe deputetëve të tij. Nuk ndodh, jo vetëm tek LSI por as tek partitë e tjera shqiptare, që të bjerë një krizë e tillë kolektive pa dijeninë e kryetarit. Ylli Manjani ka kritikuar Edi Ramën për kanabisin por nuk e ka bërë vetëm me mendjen e vet. Vangjel Tavo ka denoncuar terrorizimin që po i bën policia Dropullit, por jo vetëm me mendjen e vet. Lefter Koka është marrë me Vangjush Dakon dhe policinë e Durrësit, jo me kokën e vet.

Kanë pasur miratimin e shefit të tyre. I cili sot bëri marsh indietro dhe të gjithën e paraqiti si fushatë konstruktive që LSI ka ndaj bashkëqeverisjes, për përmirësimin e saj. E cila megjithatë do të ishte e besueshme nëse Manjani do të vazhdonte të ishte në post. Por nuk është kështu.

E gjitha nisi për kokën e Saimir Tahirit dhe përfundoi me atë të Manjanit për një gabim në llogaritjeje.

Saimir Tahiri është dora e fortë e Edi Ramës. Por jo vetëm kaq. Ai është shef i PS për Tiranën, dhe njohës i mekanizmave zgjedhorë. Ilir Meta e njeh prej kohësh.

Ka qenë Saimir Tahiri i cili ka qenë përballë Monika Kryemadhit në zonën e Kombinatit, duke e mundur atë në përplasjet elektorale. Dhe po të mendosh që Kryemadhi nuk është thjesht gruaja e Metës, por një politikane e vjetër dhe njohëse e jetës elektorale dhe partiake, është tregues se personazhi në fjalë nuk është kockë e lehtë. Përveç kësaj, pas 4 vjetësh në krye të dikasterit më të fuqishëm të vendit, ai njeh elementët e botës të mbi dhe nëndheshme.

Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, dikasteri që komandon, është i gjithi i kaluar në filtrën e tij dhe një trupë ku nuk ka ndikim asnjë parti.

Ndaj goditja e Ilir Metës ishte e mirëmenduar. Duke rrëzuar Saimir Tahirin, përveç efektit psikologjik që do të kishte në rradhët e PS, do të dobësonte imazhin e Ramës si njeri që nuk mbron dot as bashkëpunëtorët e tij më besnikë.

Dhe duke menduar që Rama gjithmonë është tërhequr edhe nga sulme më të lehta, përballë artilerisë së rëndë që futi në punë, Tahiri do të rrëzohej. Fatkeqësisht nuk mori parasysh egon e Ramës për pushtet. Matrica e Ramës pa Saimir Tahirin është humbëse. Rama ka katër vjet në qeveri dhe kjo sjell kostot e saj negative.

Ka një parti të përçarë, ku rasti Blushi ishte më mediatiku, por mëritë e fshehta nuk janë fashitur, pasi torta e pushtetit ka qenë për një rreth të vogël.

Ekonomia është problematike dhe nuk mund të mbështetesh në arritjet e saj për të kërkuar fitoren. Aleatëve të rinj PDIU dhe FRD nuk ju dihet pesha reale elektorale. Ndaj Saimir Tahiri është personi kyç i tij. Eshtë ai që në llogaritë e Ramës do të mbushë vakuumin e konsumit të pushtetit. Të dorëzonte Saimir Tahirin do të thoshte të dorëzonte pushtetin në tavolinë dhe t’i lejonte vetes që të ishte rishtas i varur nga numrat e LSI në parlamentin e ardhshëm.

Këtë mesa duket nuk e mori parasysh Ilir Meta. Quhet gabim në llogaritje. Dhe kur Edi Rama ishte gati të kalonte në zgjedhje të parakohshme, atëhere loja ka ndërruar kah.

Ilir Meta nuk ishte i pregatitur te shkonte deri ketu. Ndaj ka menduar që më mirë të tëhiqet dhe përgatitet nëse në të ardhmen do të zgjedhë përplasjen apo do të rinovojë aleancën. Ku e para ka shumë lavdi dhe i forcon pozitat e tij paszgjedhore në tavolinën e negociatave të pushtetit, ndërsa e dyta e rrezikon të kthehet në vasal të shefit lejla të kampit.

Gjithsesi lufta nuk ishte një opsion që e kishte planifikuar për këtë janar.

Ndaj dhe ne pamë një Ilir Metë i cili në vend të luftës, paraqiti njeriun i cili mendon për koalicionet, parimet, bashkëqeverisjen dhe bashkëpërgjegjësitë. Deri në përplasjen e ardhshme./dritare.net