Opinione Nga Dritan Hila / Kush po i komandon dezertorët e LSI-së?

Nga Dritan Hila / Kush po i komandon dezertorët e LSI-së?

Nga Dritan Hila

Ka një fenomen të çuditshëm në pranimin e mandateve nga ana e deputetëve të listës:

Nëse nga PD janë 3-4 veta të cilët kanë pranuar mandatin e deputetit, nga ana e LSI ka plot 11 të tillë tashmë të konfirmuar dhe pritet që të tjerë ta pranojnë.

Mund të gjykohet se kjo është shthurje e rradhëve të saj, por duke ditur qe është një parti hierarkike, ka gjasa që të jetë më shumë një “dezertim” i kontrolluar.

Çfarë të çon në këtë përfundim janë disa faktorë.

Duke filluar që nga Ilir Meta, që ende nuk është shprehur. Pavarësisht se përpiqet të luajë rolin e të pavarurit, ai nuk është indiferent ndaj partisë se familjes dhe që e ka formuar vetë.

Si ujk i vjetër që është, ai e di se asnjëherë nuk duhet t’i vendosësh të gjitha vezët ne një shportë.

Për më shumë kur rruga është gjithë gropa dhe kthesa të panjohura.

Ndaj në kushtet kur e ardhmja e situatës politike është e panjohur dhe armët që do përdorin ndërkombëtarët të paditura, është më mirë që të ketë një rrjedhje të kontrolluar dhe “dezertorët” të komandohen nga ai, jo nga Edi Rama.

Pavarësisht fytyrës që po merr parlamenti, ligjet që do miratojë ai, me hir apo pahir, do jenë të detyrueshme.

Ndaj më mirë të kenë edhe një retushim në hije nga LSI.

Arsye tjetër pse ka një rrjedhje të tillë masive mund të jetë edhe Kryemadhi, e cila ka të njëjtat dyshime.

Është tashmë e ditur që “djegia” ishte një iniciativë e doktorit.

Mënyra sesi u mor nuk i linte rrugë Kryemadhit për mospëlqim. Në galvanizimin që prodhojnë situatat e ndezura, mospërfshirja e saj në iniciativën e doktorit do ta bënte automatikisht tradhëtarë.

Atëherë nuk është çudi që ajo ka sakrifikuar skalionin e parë të ushtarëve, për të sjellë në lojë skalionin e dytë, të cilët formalisht janë të pavarur, duke i dhëne nën rrogoz edhe më shumë hapësirë manovre Kryemadhit.

LSI nuk mund ta lejojë rishtas fatin e saj të varet në një marrëveshje surprizë Rama-Basha.

Nuk është çudi që në lojë te jetë edhe Rama. Pavarësisht retorikës, një pjesë e madhe e anëtarëve të LSI, pjesë e administratës shtetërore, nuk janë hequr nga puna. Ndërkohë, duke përjashtuar disa përplasje me efekt më tepër mediatik, kanalet e komunikimit mes presidencës dhe kryeministrisë kanë qenë gjithmonë të hapura.

Gjithsesi, këto janë raporte që mbështeten në të dhëna të tërthorta. Ajo që dihet është se për çdo rast Rama ka urdhëruar partinë të dalë në terren dhe përgatitet për zgjedhje. Të njëjtën po bën edhe LSI.

PD mesa duket i ka mbështetur shpresat tek një pakt surprizë me PS. Pozicion i cili mund ti japë pushtet në tavolinë, por edhe mund ta nxjerrë si rruar qethur/dritare.net