Kryesore Nga e hëna lehtësohen masat: Lëvizja deri në orën 17.30

Nga e hëna lehtësohen masat: Lëvizja deri në orën 17.30

Kryeministri Edi Rama thotë se kurba e të infektuarve të rinj me koronavirus është më e ulët se pritshmëritë më optimiste të Qeverisë dhe për këtë arsye paralajmëron lehtësim të masave shtrënguese, duke filluar që prej javës së ardhshme.

“Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare deri në orën 17:30. Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme, nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual, mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik”, deklaron Kryeministri.

Megjithatë, Rama thotë se vendi ndodhet ende në fazën e parë të betejës me pandeminë. Ai jep si afat fundin e muajit maj për përfundimin e kësaj faze.

“Mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe aktivitetit ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumëkush mund të rikthehet në punë me rregulla të mirëpërcaktuara, natyrisht. Duhet të përballojmë 40 ditë shumë të rëndësishme për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës tonë të përbashkët, duke hapur me kujdesin më të madh me disa hapa të matur”, thotë ai.

Hapja do të shoqërohet paralelisht me ashpërsimin e masave për ata që shkelin rregullat e kufizimit të qarkullimit, masa që pritet të miratohen javën e ardhshme në mbledhjen online të Kuvendit, duke përfshirë edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Rrugor.

“Masa të rrepta penale për shkelësit, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut. Do të miratojmë javën që vjen në Parlament risitë e Kodit Penal dhe Kodit Rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë”, deklaron Rama.

Po javën e ardhshme pritet që të miratohet edhe një rregullore bazë me standardet e sigurisë dhe higjieno-sanitare që duhet të respektojnë njësitë e shërbimit, që nuk hapen javën tjetër, por duhet të përgatiten për t’u hapur në javët në vijim.

Gjithashtu, në fillim të javës Rama thotë se do të bëhen publike dhe detajet e paketës së zgjeruar të mbështetjes financiare për bizneset që nuk kanë mbyllur aktivitetin, por që për shkak të karantinës nuk kanë xhiro.

“Bizneset e vogla, që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhë u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepësi, mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të licencuar, përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre”, thotë Rama.

Kategoria e dytë që mund të përfitojë nga zgjerimi i paketës janë punonjësit e bizneseve të mëdha.

“Që bazuar në listëpagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për 40 ditët vendimtare në vijim, duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës së nevojave të luftës në 10-ditëshin e fundit të muajit maj”, paralajmëron Rama.