Sport Nga fëmijëria e vuajtur tek Interi, rrëfehet Lukaku: Conte për mua është...

Nga fëmijëria e vuajtur tek Interi, rrëfehet Lukaku: Conte për mua është një baba

Mjaftoi vetëm një sezon për të kuptuar se sa shumë vlerësim kanë për njëri-tjetrin Antonio Conte dhe Romelu Lukaku. Trajneri puljez e kishte kërkuar ta trajnonte vite më parë, Interi ia bëri “dhuratë” verën e kaluar. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi belg nuk i kursen fjalët me superlativa për Conten.

“Për mua është një mentor, një baba, ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin në mënyrë të përsosur. Të luash për të është realizimi i një ëndrre. Duhet të përmirësohemi, Conte është trajneri i duhur për ta bërë këtë.”

Humbja në finalen e Europa League-s, me autogolin e vetë sulmuesit belg, ende djeg – “Nuk kam folur katër ditë pas asaj ndeshjeje, ishte një moment shumë i vështirë në aspektin personal. Por pastaj u zgjova dhe i thashë vetes: mund të humbasësh, por vetëm për të mësuar se si të fitosh”.

Dhe çfarë i duhet Interit për të fituar? “Vitin e kaluar kemi bërë mirë, por nëse ka diçka për të përmirësuar, duhet të ndodhë në cilësi dhe përvojë. Pra, ardhja e Vidalit është shumë e rëndësishme për ne. Nuk mund të fitosh shumë dhe përballë skuadrave të ndryshme nëse nuk ke lojtarë të nivelit të lartë”.

Fëmijëria – “Babai im nuk kishte fat me paratë. Kur e mbylli karrierën si futbollist, ai nuk bleu dot as një shtëpi, nuk kurseu. Kur mbaroi së luajturi, shpejt kuptova se do të kishim vështirësi serioze financiare. Menjëherë vendosa të bëhesha futbollist. Doja të përmirësoja gjendjen e familjes”.

Titulli – “Për mua, gjëja më e rëndësishme është të flasim në fushë. Ne duhet të luajmë dhe të bëjmë mirë në çdo 90 minutësh. Jashtë fushës nuk jam personi që flas shumë. Unë preferoj të shprehem kur luaj. Dua të jap gjithçka që mundem për të bërë më të mirën këtë sezon. Të bëjmë sa më mirë për Interin”.

Interi – “Për mua, të luash për Interin është një ëndërr e realizuar. Asnjëherë nuk mund ta imagjinoja të bëhej realitet. Nuk e shfrytëzoj lehtë këtë mundësi, erdha këtu për të bërë mirë, për të lënë gjurmë. Çdo ditë kur zgjohem, dua të bëj gjithçka që të përmirësohem. Mund të luaj mirë ose keq, por sa herë që dal në fushë dua të jap gjithçka. Edhe në trajnim jam i tillë. Trajneri dhe shokët e skuadrës tallen me mua, sepse zemërohem edhe kur humbas ndeshjet e kontrollit mes grupit. Kjo është mënyra ime për të luajtur futboll, për të menduar për futbollin. Kur kjo të mos jetë më çështje kryesore e karrierës, unë do të ndalem”.

Futboll pa tifozë – “Diçka e shëmtuar. Ju dëgjoni gjithçka në stadiumet bosh. Edhe atë që them unë, të cilën mbase nuk duhet ta dëgjoni. Shpresojmë që tifozët të kthehen së shpejti në stadiume dhe të qëndrojnë të sigurt. Ne po i bëjmë gjërat mirë në Itali dhe shpresojmë që spektatorët së shpejti do të jenë në tribuna. Futbolli pa tifozë nuk është futboll i vërtetë”.