Bota Nga fraksioni marksist te kokaina, kush është narkotrafikanti më i madh i...

Nga fraksioni marksist te kokaina, kush është narkotrafikanti më i madh i botës

Dairo Antonio Usuga

Njihej nga të gjithë si “Otoniel”, për ta kapur u deshën 500 burra të ushtrisë (dhe jo vetëm). Nga e majta ekstreme te droga, ishte Escobari i ri

Dairo Usuga, i njohur si Otoniel. Një kriminel që kaloi nga e majta ekstreme dhe më pas u bë bosi i madh i Klanit të Gjirit Kolumbian.

Shëmbëlltyra e tij përfundoi si ajo e të tjerëve: ngjitja, maja dhe në fund rënia. Super-trafikanti u kap në një strehë në xhungël në Necoclì, afër kufirit me Panamanë.

Lëkundje ideologjike

Është një histori e veçantë, e karakterizuar nga një prirje për dhunë, por edhe nga aftësia për të qëndruar gjallë. Usuga, tashmë 50 vjeç, fillon të përdorë armë që në moshë fare të re në radhët e një fraksioni marksist, Epl, prandaj me një “piruetë” kalon në radhët e një grupi para-ushtarak, një plagë tjetër e shtetit të Amerikës së Jugut.

Lëkundja ideologjike (fjalë e tepruar) e projekton atë në botën e narkotikëve. Në fund të fundit, lëvizjet radikale vendase, pavarësisht ngjyrës, e kanë gjetur të përshtatshëm dhe fitimprurës të përzihen me trafikun e kokainës. Me bollëk si gjithmonë, Eldoradoja e re, një minierë e pashtershme që furnizon Europën, Azinë dhe Shtetet e Bashkuara me “pluhur” me aeroplanë, gjysmë-nëndetëse dhe anije.

Otoniel kishte rreth 1200 burra nën urdhrat e tij, të vendosur mirë, me struktura të rëndësishme logjistike dhe kontakte kyçe në treg. Marrëdhëniet me organizatat meksikane dhe mafiozët e tjerë, janë shumë të forta.

Të gjitha të konsoliduara, në traditën e aleancave dhe pakteve të vjetra, me përdorimin e zhvatjes, vrasjeve dhe kërcënimeve.

Misioni ushtarak dhe e ardhmja e Klanit

Ishte bërë kundërshtari kryesor i autoriteteve lokale dhe Shteteve të Bashkuara. Bogota ofroi një shpërblim prej rreth 800,000 dollarësh, Uashingtoni ofroi 5 milionë dollarë, duke nënvizuar peshën e liderit, duke ndihmuar në zbulimin e tij.

Jo një mision i lehtë. Dairo Usuga – shpjegojnë ata – u soll si një i arratisur mendjemprehtë. Për të komunikuar nuk përdori telefona dhe asgjë që mund të transmetojë një sinjal. Kështu, ai u mbështet në metodën klasike të korrierit. E ndërlikuar, e ngadaltë, por mjaft e sigurt.

Kolumbianët u përgjigjën me përpjekje të reja, fituan mbështetjen anglo-amerikane dhe nisën operacionin “Osiris”. Pesëqind njerëz, rreth njëzet avionë, zgjodhën skuadra dhe informatorë për të gjetur gjurmët e një të arratisuri që ndërronte strofull pothuajse çdo natë.

Lëvizshmëri e madhe, fshehtësi dhe një sistem sigurie – thonë burime policore në Bogota – i përbërë nga 7-8 njësi.

Masa adekuate të vendosura për një person që është i vetëdijshëm për rreziqet. Ai e dinte luftën e armatosur, vëllai i tij, Juan de Dios – i njohur si Giovanny – u vra dhe ai zuri vendin e tij në krye të bandës, ndërsa motra e tij, Nini u kap në pranverë. Mungonte vetëm ai dhe në fund i vunë prangat.

Presidenti Ivan Duque e quajti arrestimin të krahasueshëm me atë të Pablo Escobar. Një ngjarje historike. Por vetë e kaluara thotë shumë për të ardhmen: kur vdes një mbret, bëhet një tjetër.

Do të ekstradohet në SHBA

Ndërkohë, shefi i Klanit të Gjirit në Kolumbi, do të ekstradohet në Amerikë, siç ka deklaruar ministri i Mbrojtjes kolumbian, Diego Molano.

Otoniel, tani do të duhet të përgjigjet për 120 akuza të ngritura, duke përfshirë vrasjet e shumta dhe eksportin e kokainës në Amerikën Qendrore, Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Për më tepër, qeveria kolumbiane akuzon Klanin e Gjirit, të udhëhequr nga Otoniel, si përgjegjës për valën më të keqe të dhunës që ka tronditur vendin që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes në vitin 2016 me guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).