Opinione Nga Gjergji Kajana / Dimensioni i krizës shqiptare

Nga Gjergji Kajana / Dimensioni i krizës shqiptare

Nga Gjergji Kajana*

Dorëzimi i mandateve prej deputetëve opozitarë fut Shqipërinë në një krizë të thellë politike, të ngjashme me atë të 2009-2011-s (kur bojkotonte Partia Socialiste). Në politikën kombëtare kjo krizë është një krizë e kulturës dhe e përfaqësimit politik. Tregon se kanë kaluar tre dekada nga revolta e thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” por kultura politike e përfaqësuesve politikë shqiptarë mbetet në distanca kozmike nga ajo e Evropës. Braktisja e mandatit popullor është tradhti ndaj delegimit për përfaqësim që mbart ai mandat, përbën një dezertim të plotë nga vullneti e mundësia për të realizuar një qëllim-bosht të politikës: përfaqësimin e qytetarëve. Brenda Shqipërisë kjo braktisje lë formalisht pa zë përfaqësimi në Parlament gati 683 mijë shqiptarë që në 2017 kanë votuar PD e LSI. Lënia e mandateve nuk ka precedent në historinë shqiptare. Gjuha e hekurt e deputetëve të opozitës, me arkivole e hedhje në kazan si në Ukrainë, nuk jep besim se opozitarët janë gati të reflektojnë mbi papërgjegjshmërinë e këtij akti.

Kriza godet në zemër aspiratat shqiptare për hapjen e negociatave dhe integrimin në BE. Imazhet e dhunës së 16 shkurtit ndjekin guerriljen verbale të vënë në veprim nga opozitarët në Bruksel. Ata përfaqësojnë atë numër të madh (683 mijë) votuesish shqiptarë dhe në çdo llogari politike në BE nuk mund të lihen jashtë. Shqipëria ka dalë nga radarët e një vendi të pasigurt, raporti i Heritage Foundation 2019 shënoi ngjitje në lirinë ekonomike tek vendi i 52-të në botë (kriteret: zbatimi i ligjit, pesha e qeverisë, efektshmëria rregullatore dhe tregjet e hapura) por protestat e sjellin lavjerrësin e vlerësimit nga BE për tek mos-hapja e negociatave këtë verë. Kjo sepse klima bashkëpunuese politike është kriter esencial për dinjitetin e një vendi negociator me BE-në.

Aktualisht Shqipëria thith fonde të Bashkimit Evropian dhe ka nevojë si politikisht, si ekonomikisht për marrëdhënie të ngushta me Brukselin. Në rrugën e integrimit është pas Serbisë e Malit të Zi dhe rrezikon të lihet mbrapa edhe nga Maqedonia e Veriut, e përkëdhelura momentale e bashkësisë ndërkombëtare pas fitores së socialdemokratit të moderuar Zaev e marrëveshjes mbi emrin me Athinën. Tirana vazhdon të rrezikojë të endet në dyert e Brukselit, megjithëse brenda vendeve të BE-së vepron një numër i madh shqiptarësh të diasporës, ambasadorë të vendit. Ata janë të integruar në Greqi, Itali, Francë apo Gjermani, presin të rritin shkallët e përfshirjes por ende shohin vendin e tyre jashtë Bashkimit. Gjithçka për shkak të një grupi konservator të eturish për pushtet që nuk pranojnë rregullat e demokracisë parlamentare. Dimensioni kryesor i krizës së re të Tiranës është vazhdimi i mbajtjes së Shqipërisë në periferinë e zhvillimeve kontinentale.

Opozitarët e rinj shqiptarë kanë një tjetër karakteristikë që i bën më ndërkombëtarë: janë mbartësit kryesorë të populizmit në Shqipëri. Si ideologji populizmi nënkupton përfaqësimin e krejt popullit prej partish që shtirren si përfaqësuese të vetme të vullnetit popullor kundër elitave të korruptuara e antikombëtare. Trend politik global ç’doganuar edhe në Perëndim prej tre vjetësh me fitorën e Brexit në Londër e presidentit Trump në Uashington, populizmi shqiptar shënon prej tre dekadash fytyrën e liderit historik të PD-së dhe transferohet edhe tek kryesia e PD e LSI. Ata përfaqësojnë votat e 683 mijëve – një numër i konsiderueshëm padyshim, por që nuk përfaqëson totalitetin e shqiptarëve votues. Për populistët ky nuk është problem: ata janë antipluralistë dhe nuk i njohin asnjë lloj legjitimiteti kujtdo që nuk militon nën flamurin e tyre. SHBA demokratike, vendi i një presidenti populist, është kundër bojkotit. Ka një shpjegim: si në Itali me 5 Yjet, si në SHBA me Trump e prej vitesh me Orban në Hungari apo Putin në Rusi apo Erdogan në Turqi populizmi është në institucione e pushtet. Në rastin amerikan me Trump populizmi hyn në kuadrin e një tradite demokratike që nuk mund të vdesë brenda një mandati presidencial. Populizmi shqiptar del nga institucionet kur nuk ka pushtetin.

*Diplomuar për Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza”