Aktualitet Nga Gjermania në Itali, protesta kundër masave anti-COVID

Nga Gjermania në Itali, protesta kundër masave anti-COVID

Rreth 1 mijë kundërshtarë të masave anti-COVID u mblodhën në zonën e këmbësorëve në Schaffhausen të Gjermanisë për të protestuar. Tubimi nuk ishte i autorizuar dhe asnjë nga pjesëmarrësit nuk mbante maskë.

Sidoqoftë, policia nuk ndërhyri pasi manifestimi ishte paqësor. Faktikisht, autoritetet në qytetin Schaffhausen i druheshin një skenari të tillë, ndaj dhe tërhoqën lejet e dhëna që prej ditës së enjte.

Ndërkohë, në Sarajevë, qytetarët u mblodhën sërish në qendër të qytetit për protestën e dytë nën moton “Luftoni për jetën”, për të shprehur pakënaqësinë mbi mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar pandeminë, për mungesën e vaksinave dhe për të kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve të lartë.

Qytetarët bllokuan rrugën kryesore në afërsi të godinës së Parlamentit, ku ende ka një prani të theksuar policore.

Ndërsa në Romë, mbi 1 mijë punonjës të industrisë së argëtimit u mblodhën në sheshin e Popullit për të protestuar kundër mbylljeve dhe për të kërkuar rihapjen e sektorit në krizë.

Nga skenaristët tek kamarierët, qindra punonjës të industrisë së argëtimit dhe mikpritjes në Itali u lutën për shpëtim, teksa vendi përgatitet për rihapje të ekonomisë.

Duke përplasur kapakët e bauleve, të përdorura në koncerte dhe teatro, punonjësit u mblodhën në Sheshin e Popullit në Romë, për të dramatizuar kërkesën e tyre për një fond qeveritar për t’i ndihmuar të mbijetojnë.

Ata nuk kanë punuar për 419 ditë për shkak të masave kundër pandemisë, që kanë mbyllur teatrot dhe pikat e tjera të argëtimit.

Kabineti i kryeministrit Mario Draghi njoftoi lehtësimin e masave në shumë zona të Italisë, duke nisur nga 26 prilli, por bëri thirrje për kujdes të shtuar për të shmangur shtimin e përhapjes së virusit, gjë e cila do të pengonte rihapjen ekonomike.

Kufizimet ndaj biznesit dhe lëvizjes së qytetarëve kanë qëndruar në fuqi në pjesën më të madhe të vitit në shtetin fqinj, i cili raporton një ndër bilancet më të larta të viktimave në botë nga pandemia e Covid-19.

Akoma po raporton qindra jetë të humbura çdo ditë. Italia përdor një sistem kufizimesh me 4 nivele për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit, i cili është i ndarë në ngjyra.