Sport Nga Nagelsmann te Tuchel, arsyet pse Bayern ndryshoi trajnerin në mes të...

Nga Nagelsmann te Tuchel, arsyet pse Bayern ndryshoi trajnerin në mes të sezonit

Vendimi për të ndryshuar trajnerin në këtë fazë të sezonit nga shumëkush mund të konsiderohet një çmenduri. Lajmi më i rëndësishëm i ditës ishte pa dyshim shkarkimi i Julian Nagelsman nga stoli i Bayern Munchen.

Ky vendim padyshim mund të konsiderohet një nga më çuditshmit kur na ndajnë më pak se tre javë nga dueli kundrejt gjigantëve anglez të Manchester City, edhe pse Bayern Munchen ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e Nagelsman.

Trajnerit 35-vjeçar i humbi respekti në dhomat e zhveshjes duke pasur përplasje të menjëhershme me figurën simbol të Bayernit: Manuel Neuer. Një përplasje e cila shkaktoi shumë polemika në atë periudhë.

Rasti më i fundit ishte kur ai deklaronte: “Kemi dikë pjesë të ekipit i cili po na zbulon taktikat dhe po i shpërndan kudo, a mund të jetë pjesëtar i stafit, a mund të jetë lojtar”? Duke nënkuptuar që në ambientet e brendshme të klubit kishte diçka që nuk funksiononte.

Klubi i Bayern nuk vonoi me zëvendësimin e tij, duke sjellë një trajner të mirënjohur për publikun. Ai është një trajner i ri dhe karizmatik, gjerman i njohur, i diplomuar në shkollën e Mainz 05 dhe një nga tre studentët më të dalluar të Ralf Ragnick.

Bëhet fjalë për Thomas Tuchel, një trajner i cili ka pasur eksperienca të kënaqshme në Mainz 05, në Dortmund te Borussia dhe në Francë te PSG, por nuk duhet të lëmë pa përmendur eksperiencën e fundit dhe atë më lavdishmen, me Chelsea në Londër ku mbi të gjitha bie në sy triumfi në Champions League.

Bayern nuk e kishte të vështirë të firmoste me Tuchel, pasi ishte pa një ekip. Hera e fundit që Tuchel drejtoi një ekip ishte në ndeshjen e tij të 100 me klubin e Chelsea, ku humbi kundrejt Dinamo Zagreb me rezultatin 1-0 në Kroaci.

Në Gjermani thuhet se emërimi i Tuchel në pankinë, në vendin e Nagelsmann, është vendimi më i mirë duke marrë shkak edhe nga historiku i trajnerit. Tuchel mori drejtimin e Chelseat në një fazë të njëjtë të sezonit dhe askush nuk e priste që të arrinte sukses, por historia flet vetë.

Tuchel është trajneri i duhur për Bayernin sepse krahas sukseseve në Gjermani mund të sjellë atë që Nagelsmann nuk fitoi dot, trofeun e Champions League. Nagelsmann tashmë është e shkuara e Bayern dhe Tuchel tani duhet të marrë frerët e klubit ku fillimisht ai duhet të rregullojë marrëdhëniet në dhomat e veshjes dhe më pas të bëjë më mirën për ekipin.